Gatishmëria e Kosovës për pranimin e refugjatëve ukrainas

Qeveria e Kosovës beson se ka kapacitete për pritjen e 5.000 refugjatëve eventualë nga Ukraina, thonë nga ekzekutivi i vendit.

Siç thuhet, Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur rezolutën e Kuvendit të Kosovës, të miratuar më 3 mars, “e cila dënon ashpër agresionin dhe invazionin e paligjshëm dhe të paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, duke u rreshtuar kështu me shtetet demokratike”.

Kuvendi i Kosovës, përmes rezolutës së miratuar, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5.000 refugjatëve, si dhe të ndajë një fond të veçantë për ndihmë Ukrainës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi shpreh gatishmërinë për pranimin e refugjatëve eventualë nga Ukraina.

“Si ekzekutiv, ne i bashkohemi gatishmërisë së shprehur në Rezolutë për strehim eventual deri në 5.000 refugjatë nga Ukraina. Vetëm tri ditë më parë kishim shprehur gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë. Përpos vullnetit tonë, ne besojmë që këto kapacitete ekzistojnë. Këtu përfshihen edhe kapacitetet që ofrohen edhe nga sektori privat”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë sqarime se ku janë të vendosura kapacitetet e pritjes së refugjatëve eventual.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të brendshme të Qeverisë së Kosovës, nuk kanë qenë të qasshëm për të marrë përgjigje lidhur me vendndodhjen e objekteve dhe kapaciteteve që mund të pranojnë refugjatët eventualë.

Zeka: Mekanizmat ekzistojnë, vetëm duhet aktivizuar

Por, Izmi Zeka, i cili në periudhën prej vitit 2017 deri në vitin 2019, ka qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Koordinator Nacional për Migrimin, thotë për Radion Evropa e Lirë, se që atëherë Kosova ka pasur një plan të veprimit që në rast se eventualisht Kosova ballafaqohet me refugjatë, të ketë kapacitete të mjaftueshme.

“Asokohe, ne kemi pasur filluar me angazhimin dhe diku për rreth tre mijë refugjatë, kapacitetet kanë qenë ekzistuese dhe ka pasur mundësi që Kosova t’i përballojë, natyrisht duke vazhduar me punën intensive që këto kapacitete të mirëmbahen, por edhe të rriten. Sa kam informacione kanë qenë edhe mjetet e planifikuara dhe tani vetëm duhet të aktivizohet ai mekanizëm, në krye me koordinatorin nacional”, thotë Zeka.

Ai ka shprehur besimin se Kosova ka kapacitete që të presë, në mënyrë dinjitetshme dhe pa probleme 5.000 refugjatë eventualë nga Ukraina, sepse kapacitetet për pranim të refugjatëve eventualë nga cilido vend, ishin planifikuar qysh në kohën kur ai ka qenë në funksionin e zëvendësministrit.

“E them këtë sepse gjithçka është e planifikuar siç duhet, që nga hyrja në kufi (të Kosovës) e deri në vendosjen eventuale (transitin) nëpër vende të tjera”, sqaron Zeka.