Gaza nuk është simbol. Është realiteti i dhimbjes më të thellë të shekullit tonë. Nëse Gaza shuhet, shuhet një pjesë e nderit tonë si umet. Por nëse Gaza qëndron, qëndron edhe dëshmia se ende jeton ndërgjegjja jonë. Allahu e ndihmoftë Gazën, e ruajt qëndresën e saj dhe e zgjoftë umetin nga gjumi i plogështisë
Nga Mr. Hasan BAFTIJARI
Në rrjedhën e historisë islame, umeti është përballur me shumë sprova, por pak prej tyre kanë qenë kaq të gjalla, kaq të përgjakshme dhe kaq sfiduese për ndërgjegjen tonë kolektive si ajo e Gazës. Gaza nuk është më vetëm një kufi gjeografik nën pushtim – ajo është kthyer në një plagë që kullohet çdo ditë me gjak, një amanet i harruar që thërret, dhe një pasqyrë që reflekton gjendjen tonë shpirtërore si bashkësi.
Në një botë ku vlerat fliten më shumë se jetohen, Gaza qëndron si një kurban i përhershëm, i vetëdijes së përgjumur dhe i zemrave të plogëta. Në hijen e Kurban Bajramit, kur besimtarët flijojnë për të rikujtuar bindjen dhe devotshmërinë, Gaza na kujton një flijim tjetër – atë të fëmijëve, nënave dhe familjeve të tëra, që digjen në flakët e padrejtësisë globale.
GAZA NUK QAN MË ME LOT AJO QAN ME GJAK
Në rrugët e Gazës, çdo hap është dëshmi. Çdo gur është histori. Fëmijët atje nuk e njohin fëmijërinë, por veç tingujt e avionëve luftarakë, sirenave, dhe britmat e nënave që përqafojnë kufoma. Gaza nuk është thjesht vendlindje, është kryqëzim i dhimbjes dhe qëndresës. Në heshtjen e botës, që gënjen veten me fjalë për “të drejtat e njeriut”, në Gaza këto të drejta përdoren si pretekst për të heshtur zullumin. Dhe bota islame, e ndarë mes retorikës dhe realitetit, shpesh mbetet spektatore kur duhej të ishte shtyllë.
KUR KURANI NA FTON NË VETËDIJE MORALE
Allahu i Lartësuar na rikujton përmes fjalëve të Tij: “Dhe nëse ata kërkojnë ndihmë prej jush në fenë, është detyra juaj t’i ndihmoni…” (Sure Enfal, 8:72)
Ky ajet është një thirrje që nuk mund të anashkalohet. Gaza është sprovë e kësaj ndihme: a jemi të gatshëm të veprojmë përtej emocioneve? Të flasim kur të tjerët heshtin? Të ndihmojmë kur të tjerët mbyllin sytë?
UMETI QË NUK QAN BASHKË, NUK JETON BASHKË
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) tha: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë dhe mëshirën mes tyre është si trupi: nëse një pjesë e tij dhemb, gjithë trupi ndihet në dhimbje”. (Buhari & Muslim)
Por sot, ky trup i umetit është i paralizuar. A ndjen më dhimbje për plagët që nuk i sheh me sy, por që duhet t’i ndjejë me zemër? A kemi arritur në një pikë ku gjaku i fëmijëve të Gazës na bëhet statistikë në lajme dhe jo dhimbje në lutje?
HESHTJA JONË ËSHTË BASHKËFAJËSI
Në kohën kur bombat bien mbi shtëpi të pambrojtura dhe mediat luajnë rolin e gjyqtarit të rremë, heshtja jonë është një krim i butë, por i rrezikshëm. Ajo e copëton nderin tonë si umet dhe na zhvesh nga lidhja me Allahun, që na mëson se vëllazëria është më shumë se fjalë është detyrim. Çfarë mund të bëjmë për Gazën? Nuk na kërkohet të jemi prijës ushtarakë apo politikanë me influencë. Por zemra, lutja dhe veprimi ynë kanë peshë. Ja çfarë mund të bëjmë:
– Lutje të përhershme, sidomos në momentet kur lutjet pranohen: agimi, nata, suxhudi.
– Ndihmë financiare, përmes organizatave të verifikuara që veprojnë në terren.
– Angazhim mediatik, duke shpërndarë të vërtetën, jo narrativat e manipuluara.
– Edukimi i brezit të ri, që Palestina të mos mbetet një kapitull i harruar në libra historie.
– Vetëdije shpirtërore, sepse pa ndjeshmëri për Gaza, nuk ka dinjitet për umet.
GAZA, TEST I NDERIT DHE I NDËRGJEGJES ISLAME
Gaza nuk është vetëm betejë e armëve. Është luftë mes heshtjes dhe qëndresës, ndërmjet frikës dhe besimit. Është sfida që na pyet jo vetëm si myslimanë, por si njerëz: “Ku ishe ti kur njeriu thyhej përballë botës?”. Në Ditën e Gjykimit, ndoshta Allahu do të pyesë: “Ku ishte zëri yt, lutja jote, ndihma jote kur umeti yt digjej dhe thërriste për ndihmë?”
MOS E BËJMË GAZËN VETËM HASHTAG
Gaza nuk është simbol. Është realiteti i dhimbjes më të thellë të shekullit tonë. Nëse Gaza shuhet, shuhet një pjesë e nderit tonë si umet. Por nëse Gaza qëndron, qëndron edhe dëshmia se ende jeton ndërgjegjja jonë. Allahu e ndihmoftë Gazën, e ruajt qëndresën e saj dhe e zgjoftë umetin nga gjumi i plogështisë. /koha.mk








