Gent Cakaj: Në tetor Tirana do të jetë nikoqire e Konferencës Mesdhetare të OSBE-së

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka bërë të ditur se Tirana do të presë në fund të muajit tetor Konferencën Mesdhetare të OSBE-së, me 57 vendet anëtare dhe me pjesëmarrjen e vendeve mesdhetare si Egjipti, Jordania, Izraeli, Algjeria, Maroku dhe Tunizia.

Ai ka thënë se vendimi tashmë është marrë nga Këshilli i Përhershëm i Ambasadorëve të OSBE-së, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, ky vendim edhe njëherë dëshmon punën madhore të Qeverisë dhe besimin e vendeve anëtare të OSBE-së për Shqipërinë.

“Në të njëjtën kohë, mbajtja e kësaj konference në Shqipëri kulmon kryesimin e Grupit të Kontaktit për Mesdheun nga Shqipëria para se të marrë kryesimin e OSBE-së në 2020 në përgjithësi”.

“Në fokus të kësaj Konference do të jetë përvoja 25 vjeçare e partneritetit të OSBE-së me vendet e Mesdheut duke u ndalur në rëndësinë e dialogut në përballimin e sfidave të përbashkëta, por edhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim”.

“Tematikat e sesioneve të saj do të prekin praktikat më të mira në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, promovimin e rinisë si faktor sigurie në rritjen e qëndrueshmërisë dhe ndërtimin e urave të komunikimit mes dy brigjeve të Mesdheut”.