Giordano Bruno na mashtroi

Prof.Dr. Ismail Bardhi

“… fluturoni te Allahu. Unë jam i dërguar nga Ai me një paralajmërim të qartë për ju”.

(Dharijat, 50)

Ismail BARDHI, Shkup

Kërkesat, dëshmitë nuk kërkojnë liri, sidomos feja nuk është fenomen të cilit i pengon liria, ose që “e çliron” liria; besimi, shpirti janë diçka madhore dhe Zoti ato nuk i ka nënçmuar dhe nuk i nënçmon me lirinë e dhuruar në këtë hapësirë, e cila është duke u përballur me diçka shumë të madhe, sfiduese përballë të vërtetës dhe jo të vërtetës, përballë besimit dhe jobesimit. Këtë e them duke u bazuar në një rast i cili paska filluar këto ditë të qarkullojë nëpër rrjetet sociale si “lehtësues” i ibadetit, faktikisht “sexhadeja e mençur” (My Salah Mat). Më “habiti” ky rast, edhe pse si këshillë për ne, sidomos për ne të moshuarit, është që të mos habitemi, sepse nuk ka më vend për habi; gjëra të tilla pamë edhe me rastin e virusit telefonik, universal me ç’rast për “hir” të tij u dënuan shumë të tjerë, asnjëherë jo ai vetë. Zhvillimi i tillë ma përkujton rastin e Giordano Brunos dhe shkencës së tij përballë Kishës Katolike, një ngjarje e madhe që ka lënë gjurmë në letrën e filozofisë dhe kulturës në përgjithësi, saqë mësimet e Kishës akoma e heshtin këtë rast, duke “u mbrojtur” me kohën e kaluar, por jo edhe duke u arsyetuar. Edhe filozofia këtë mbrojtje, këtë dialog të besimit dhe të lirisë së mendimit e ka pasur si ushqim kryesor për ndërtimin e një filozofie që do të dominojë mbi teologjinë. Muslimanët për çështje të tilla nuk janë përballur me këso dukuri, por ka pasur raste që i kanë kapërcyer dimensionet e mësimit të Kur’anit, për hir të racionalizmit të varfër. Dallimi është se atje mësimi i Kishës ishte më i fortë përballë Brunos, kurse te mu’tezilitët u dënua “Kisha” muslimane, faktikisht racionalizmi u mundua të mbizotërojë.

Zhvillime të tilla për çdo herë ka dhe do të ketë, po nëse eventualisht nuk e “kruajmë” plagën e Kiametit, gjegjësisht shkatërrimit. Por, a jemi të vetëdijshëm se çka është duke ndodhur me besimin musliman? Jo, sepse pandërprerë paraqiten dukuri nga më të ndryshmet, e të mos flas për atë se islamizmi dhe “urtësia” e tij, së bashku me filozofinë, jo vetëm që është alivanosur, por atij ka filluar t’i pëlqejë kjo gjendje; ai hesht përballë këtyre dukurive jo të parëndësishme, por negative që e mundojnë besimin, besimtarin dhe e nënçmojnë esencën e besimit në përgjithësi, e atë të Islamit në veçanti. Këtu nuk e harroj as hapësirën e imanit, sepse besimi që prezantohet nëpërmjet feve qiellore është i besimtarëve dhe për të nuk ka mundësi të thuhet “i yni” apo “i tyre”; kjo kërkon mbrojtje, kjo kërkon flijim. Jo flijim në formën që “shërbimet” sekrete mezi e presin që të gjejnë arsyetime dhe të fillojnë me etiketime dhe akuza që njëkohësisht dënojnë dhe lodhin. Kjo pasqyrë e lirisë dhe e mendimit është e trembur, dhe si e vërej se është e tillë? Sepse në lutje nuk përjetoj asgjë, përpos mundimit dhe mashtrimit, thuajse koha e lutjes është një moment që na largon nga harxhimit material dhe nga afërsia me Krijuesin dhe dashuria e pejgamberëve: ibadet ndëshkues, e jo shpëtues. Faktikisht, kjo nuk përputhet me fillimin dhe qëllimin e ibadetit, lutjes.

Për këtë ne jemi dëshmitarë, duke filluar me kufizimet dhe distancimet nëpër xhami, me ç’rast duhet ta përgëzoj Kishën Ortodokse te ne dhe më gjerë ngaqë ajo refuzoi diçka të tillë, kurse xhamitë e muslimanëve iu nënshtruan me mish e me shpirt kërkesave të mbikëqyrësve të virozës, saqë ishte për t’u habitur që imamët të cilët na ngulfatshin me fjalët: “bashkohuni”, “ngjituni”, tani filluan të na mbytnin duke na thënë se duhet të jemi 1000 e kusur milimetra larg njëri-tjetrit në namaz, por jo vetëm. Madje i shihja disa muslimanë duke u tallur me një gjë të tillë, por për hir të kulturës edhe këta vepronin/vepronim me metodën e dresurës së majmunëve: lëre se është turp.

Kjo pasqyrë e besimit dhe besimtarit është domethënëse, sepse qëndron është përballë mësimeve të fesë; ajo është përballë edhe “fanatizmit” të fesë, e lëre më urtësisë; faktikisht, një gjë të tillë edhe racionalizmi, që është fuqi jashtë besimit, e refuzon, sepse e konsideron si nënçmuese, e të mos flas për atë hapësirë shumë e pastër që quhet Fjalë e Zotit. Ajo asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë nevojë për lirinë tonë; ajo neve na mëson me besimin e vet që kërkon të mos mashtrohemi. Dënime të tilla që janë paraqitur ose paraqiten, kanë mundësi vetëm ta forcojnë hapësirën e metafizikës së besimit, por kurrsesi ta pengojnë, e lëre më ta largojnë. Besimi sapo të fillojë t’i nënshtrohet lirisë, aty për aty gjendet përballë vdekjes. Flas për njeriun, për krijesën më të përsosur. Kjo liri që ia lejon vetvetes me “ndihmën” e muslimanëve që t’i hapim këmbët, të kërcejmë e të përplasemi, nuk është e mirë, e hijshme për njeriun që mëton të jetë besimtar.

Kohën e fundit jemi duke u gjendur përballë dukurive të tilla me forma të ndryshme, si ato që thashë pak më parë: hapja e këmbëve, mbyllja e xhamive. Siç thashë më sipër, dje pashë një “sexhade të mençur”, jo “profesor”, por “akademik” për çështjen e lutjes. Ne muslimanët falemi mbi sexhade, dhe ajo ka qenë një kulturë e bukur, simpatike, por që kohëve të fundit është bërë e larmishme, njësoj si tesbihët. Të jem më i qartë për çka bëhet fjalë këtu, për “sexhaden e mençur”: ajo i thoshte me zë të gjitha kërkesat e namazit; e gjithë ajo që duhet të bëjë njeriu, “besimtari”, është që “të shkelë” mbi të dhe t’i lidhë duart, më falni, para se t’i lidhë duart ai duhet ta “zgjedhë opsionin” dhe vetëm të dëgjojë…, tamam si ezanet nëpër altoparlantët te ne, që futet edhe atje ku nuk duhet. Ngjashëm ishte edhe në kohën e Covidit, kur disa imamë shumë “fanatikë” iu thoshin “nëpunësve” të namazit që të lidhen nga distanca me IPad, pavarësisht modelit. Mos harroni se këta janë besimtarë “tanë”, tamam si sexhadeja në fjalë. Tani kjo ka shkuar edhe më larg. Sa mirë do të ishte që ne të mendojmë diçka më të re se kjo dhe të fillojmë të fitojmë para…… nuk di të ndalem me këtë sarkazëm që jam duke u çmendur, sepse më ballafaqon me tezën e Darvinit, gjegjësisht të majmunit me majmunllëqet e tij. O Zot i Madh, çka është duke ndodhur me besimtarët dhe institucionet që merren me këtë çështje, dhe që materialisht janë të thirrur që të mos e nënçmojnë atë me këtë formë.

Dënimet e mëparshme që i shohim nëpërmjet rrëfimeve në Kur’an që të gjitha kanë domethëniet, kërkesat e veta, sepse e kanë treguar dhe e tregojnë në mënyrë konstante ndëshkimin, dënimin e popujve të mëparshëm; po e parafrazoj shumë lirshëm: vetëm për arsye se kanë gënjyer dhe kanë vjedhur diçka të imët ata janë dënuar, janë bërë hiç; këto nuk janë vetëm rrëfime në Kur’an, këto janë kërkesa të Kur’anit që ne duhet t’i lexojmë në lutjet tona dhe t’iu besojmë atyre. Kjo ngaqë ato i kanë ardhur shpirtit të njeriut me qëllim që ta shpëtojnë arsyen e njeriut, se përndryshe ai pëlcet; ibadeti i Zotit nuk duron të dënohet nga vetë besimtarët në përgjithësi, sidomos ata të Fjalës së fundit, Kur’anit. Të mos harrojmë se Kur’ani është Fjala e fundit e Librave të shenjtë; kjo nuk do të thotë që ne muslimanët ua kemi marrë hovin e shpalljeve besimeve të tjera, por ne shpirtërisht dhe fizikisht jemi të detyruar ta mbrojmë këtë Fjalë të fundit, e jo t’i nënshtrohemi kërkesave të mangupave të tregtisë, e të mos them lojërave të Iblisit. Tekefundit, besimin është duke e frikësuar, jo vetëm duke e shqetësuar, ky grumbull i madh i besimtarëve që dalëngadalë është duke shkuar rrugëve të votimit: nëse shumica thotë kështu – ashtu duhet bërë.

Ky pasqyrim ose ky realitet i besimit dhe besimtarëve më bëri që të them dhe të mendoj a thua vallë ka gabuar “Kisha” ose tradicionalizmi musliman përballë racionalizmit të mu’tezilitëve?! Ne këtë duhet ta kemi parasysh dhe të mendojmë në fuqinë e Fjalës së Zotit dhe traditës së pejgamberëve. Kështu siç është duke u vepruar, ne tepër jemi duke e hidhëruar këtë burim, sepse jo vetëm që jemi duke heshtur, por edhe shpirtërisht jemi duke iu nënshtruar dukurive të tilla: iman “përplot” me rrena; besim sipërfaqësor me lutje mashtrimi; ashtu si fëmijët që ikin nga shkolla ashtu edhe zyrtarët e punës ikin e vijnë të luten, e deri te ajo që fare nuk bëhet përpjekje, nuk mendohet të mbrohet heshtja dhe vendi i sexhdes. Pa marrë parasysh nëse dikush di apo nuk di ta lexojë Kur’anin, ai duhet ta ketë atë shpirtin e madh të lidhur me imanin dhe me sexhden si hapësira fluturuese, komunikuese me burimin e përhershëm të fesë, ku dëgjohet zëri i Zotit me kërkesa plot shpëtim dhe dashuri. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua të falem”, sepse sexhdeja nuk duron modernizim, ajo gjithmonë është e drejtuar nga burimi.

Mirëpo, pas gjithë kësaj, çfarë duhet bërë? A thua vallë ne nuk kemi teologji të shëndoshë, teologji të pastër që e mbron burimin, duke iu kthyer për çdo herë atij, e kurrsesi duke u larguar nga ai burim që është Zoti, respektivisht Fjala e Zotit? Mbi këtë duhet mbështetur mendimin tonë, teologjinë tonë muslimane. Praktikat të llojit të mësipërm natyrisht se duhet të na frikësojnë, por në të njëjtën kohë ato janë edhe mundësi për dëshminë e urtësisë që neve na e ka dhuruar Zoti që të mos i largohemi, frikësohemi asaj, por të mbështetemi mbi teologjinë e gjallë e të përhershme; teologjia muslimane nuk lejon nënshtrimin ndaj mashtrimeve ose ndaj dinakërisë së mendjes, e cila shpeshherë na mashtron me “lehtësimet” që na i ofron, e në anën tjetër është duke na zvogëluar, pse jo edhe duke u tallur, tamam sipas metodës së shejtanit: na mashtron dhe në çast largohet nga ne. Këtë mënyrë të shpjegimit ka mundësi ta bëjë teologjia që është e shitur dhe e nënshtruar jo vetëm ndaj “shkencës” dhe zhvillimit, por edhe ndaj mashtrimeve që mundohen ta lodhin besimtarin. Po ku është teologjia muslimane?! Nuk kam mundësi të them se ajo nuk ka mençuri, por fotografia e teologjisë e dëshmon se ajo shpeshherë i nënshtrohet mashtrimit, ajo lejon që t’ua plotësojë kënaqësinë “kërkuesve” të lehtësimeve, ose thënë më mirë “kërkuesve” që mundohen të fluturojnë nga ajo që akoma nuk ka ardhur, por që për çdoherë turpërohen kur ballafaqohen me vetveten pse kanë shpejtuar. Teologjia nuk mbushet e as që gëzohet me shprehjen “teologji moderne”; kjo shprehje për shpirtin do të thotë vetëm vdekje “moderne”. /shenja