Autoritetet zvicerane i kanë dhënë degës në Gjenevë të Fondacionit Humanitar për Gazën (GHF) një afat prej 30 ditësh për të rregulluar shkeljet ligjore në regjistrimin e saj, përndryshe rrezikon përballje gjyqësore.
Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar të enjten në regjistrin tregtar të Gjenevës, degës së GHF-së i mungojnë elementë të detyrueshëm si një llogari bankare zvicerane, adresë e vlefshme lokale dhe numri i mjaftueshëm i anëtarëve të bordit. Nëse këto mangësi nuk rregullohen brenda afatit, çështja do t’i kalojë gjykatës ose një organi mbikëqyrës.
GHF, e themeluar nga SHBA dhe Izraeli, ka qenë nën kritika të forta ndërkombëtare për rolin e saj në shpërndarjen kaotike të ndihmave në Gaza, gjatë së cilës qindra palestinezë të uritur janë vrarë nga forcat izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ushqim. Fondacioni ka hapur degën e tij në Gjenevë më 12 shkurt, ndërsa aktivitetet në Gaza nisën më 19 maj.
Sipas autoriteteve zvicerane, përveç mungesave ligjore, Departamenti Federal i Punëve të Brendshme po shqyrton edhe një hetim të veçantë për aktivitetet e GHF-së.
Ndërkohë, vetë fondacioni këmbëngul se operacionet e tij janë të sigurta dhe se nuk mban përgjegjësi për vrasjet që kanë ndodhur pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave.
Por realiteti në terren tregon të kundërtën.
Që prej nisjes së operacioneve të GHF-së në maj, mbi 550 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ushqim. Një raport i publikuar së fundmi nga gazeta izraelite Haaretz ofron prova vizuale dhe deklaron se komandantët ushtarakë izraelitë kanë dhënë urdhër për të qëlluar mbi civilët e uritur në “pikat e ndihmës”.
Hamasi ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për këto vrasje dhe i ka bërë thirrje OKB-së që të rifillojë shpërndarjen e ndihmave përmes UNRWA dhe agjencive të tjera ndërkombëtare. Ata e akuzojnë Izraelin se po përdor kontrollin e ndihmës si mjet për të “uritur dhe poshtëruar” popullin e Gazës.
Rrjeti i OJQ-ve palestineze ka paralajmëruar se kontrolli i ndihmave nga Izraeli po shkakton “kaos dhe dhunë të qëllimshme” në Gaza, si pjesë e një strategjie më të gjerë të gjenocidit.
Paralajmërimi i regjistrit tregtar të Gjenevës rrit presionin mbi GHF-në. Nëse nuk përputhet me ligjin zviceran brenda afatit, fondacioni rrezikon të mbyllet apo të ndalohet ligjërisht nga veprimtaria në territorin zviceran. /mesazhi







