Gjermani, rastet e diskriminimit arrijnë kulmin me një rritje prej 14 për qind në vitin 2022

Numri i personave që kanë paraqitur ankesa për diskriminim në Gjermani është rritur 14 për qind në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, duke arritur në gjithsej 8.827, transmeton Anadolu.

“Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë njerëz që paraqesin aplikime në Agjencinë Federale kundër Diskriminimit sa kemi pasur vitin e kaluar”, tha Ferda Ataman, shefja e zyrës kundër diskriminimit të Gjermanisë, duke njoftuar raportin në një konferencë për media në Berlin.

Ataman theksoi se shumë vende në Evropë kanë ligje që sigurojnë trajtim të barabartë për individët dhe shpjegoi se diskriminimi i bazuar në faktorë të tillë si mosha, paaftësia, gjinia, orientimi seksual, feja, botëkuptimi, raca dhe antisemitizmi është i ndaluar në bazë të Aktit të Gjermanisë për Trajtimin e Përgjithshëm të Barabartë (AGG).

Ajo theksoi se numri i madh i ankesave, respektivisht 43 për qind e tyre kishin të bëjnë me diskriminimin racor, 27 për qind për diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuara, 21 për qind për diskriminim në bazë gjinore, 10 për qind kishin të bëjnë me moshën dhe 6 për qind ishin bazoheshin në fe dhe botëkuptim.

Shumica e ankesave, theksoi ajo, kishin të bëjnë me “qasjen në shërbime” dhe “botën e punës”.

Ataman po ashtu theksoi se ankesat janë “maja e ajsbergut” dhe nuk pasqyrojnë plotësisht shkallën e diskriminimit në Gjermani.

Më tej, ajo tha se përjashtimet e personave me aftësi të kufizuara nga jeta e përditshme dhe fuqia punëtore, dështimi i individëve me mbiemra turq apo arab për të gjetur strehim dhe pamundësia e personave mbi 50-vjeç për të gjetur punë vetëm në bazë të moshës nuk duhet të konsiderohen “normale”.

“Numrat e tregojnë qartë këtë. Kemi marrë më shumë ankesa sesa mund të përballojmë”, tha ajo.

Fitorja e kanditatit të AfD-së, “pika më e ulët” në historinë e Gjermanisë Federale

Më tej, Ataman tha se zgjedhjet e së dielës të kandidatit të Alternativës për Gjermanisë (AfD) në Sonneberg janë “pika më e ulët” në historinë e Gjermanisë Federale, duke marrë parasysh qëndrimin populist, islamofobik dhe anti-emigrant të kandidatit të së djathtës ekstreme.

Partia e ekstremit të djathtë arriti fitoren e saj të parë në zgjedhjet e këshillit të qarkut në Gjermani, duke shënuar një pikë kthese të rëndësishme në peizazhin politik të vendit.

Rezultati po përshkruhet si një moment vendimtar për politikën gjermane.

“Si një luftëtare kundër diskriminimit, e shoh veten si një avokate për të gjithë ata që përjetojnë diskriminim në Gjermani. Shumë njerëz janë të frikësuar dhe të shqetësuar për të ardhmen e tyre në vend”, tha Ataman.

Ajo u bëri thirrje politikanëve që të dëgjojnë ata që ushqejnë shqetësime dhe frikë, në vend që të fokusohen tek ata që votojnë për partitë e ekstremit të djathtë.