Gjermania bën marrëveshje për tanket me Greqinë për Ukrainën

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka njoftuar të martën se vendi i tij do të lejojë tanket moderne të prodhimit gjerman të “zëvendësojnë” tanket e kohës sovjetike të dërguara nga Greqia në Ukrainë, shkruan BBC.

Berlini tashmë ka marrëveshje të ngjashme me një numër vendesh që kanë tanke të epokës sovjetike, të cilat mund të përdoren nga ushtarët ukrainas menjëherë pa stërvitje.

Deri më tani, Gjermania ka arritur marrëveshje të tilla me Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Poloninë.

Gjermania po trajnon gjithashtu ushtarë ukrainas në Gjermani për armë të rënda moderne, të cilat më pas do t’i dërgohen Ukrainës.

Ministrat gjermanë thonë se Berlini po dërgon shumë armë në Ukrainë dhe kundërshtojnë përshtypjen jashtë vendit se Gjermania nuk po bën mjaftueshëm.

Por disa ministra dhe politikanë kryesorë brenda qeverisë pranojnë se dërgesat janë më të ngadalta dhe më të ndërlikuara sesa pritej fillimisht.

Ka një presion në rritje në Gjermani që dërgesat të përshpejtohen, të jenë më transparente dhe më të organizuara. /koha