Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vizituar Kalanë e Shushës së bashku me presidentin azerbajxhanas, Ilham Aliyev, pas një ceremonie zyrtare mirëseardhjeje në qytetin e çliruar të Shushës në Azerbajxhan, raporton Anadolu.
Erdogan mbërriti në Shusha me ftesë të Aliyevit për të shënuar gjashtëvjetorin e Ditës së Fitores së Azerbajxhanit, e cila shënohet sot.
Data 8 nëntor, e cila këtë vit bie të dielën, shënon fitoren e Azerbajxhanit në Luftën e Karabakut të vitit 2020 dhe çlirimin e territoreve që më parë ishin nën pushtimin armen.
Erdogan dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdogan, udhëtuan nga Aeroporti Ndërkombëtar i Fuzulit drejt Zyrës së Guvernatorit të Shushës, ku u pritën nga Aliyev dhe bashkëshortja e tij, Mehriban Aliyeva.
Pasi Erdogan dhe Aliyev zunë vendet e tyre në ceremoninë zyrtare, një orkestër ushtarake interpretoi himnet kombëtare të të dy vendeve.
Më pas, dy liderët zhvilluan një takim me dyer të mbyllura në Zyrën e Guvernatorit të Shushës, i cili u pasua nga një konferencë e përbashkët për media.
Pas konferencës për media, Erdogan dhe Aliyev vizituan Kalanë e Shushës.

