Gjermania raporton rritje të sulmeve kundër strehimoreve të refugjatëve

Gjermania regjistroi 121 sulme kundër strehimoreve të refugjatëve vitin e kaluar, duke shënuar një trend rritës për herë të parë që nga viti 2015, thanë autoritetet të enjten.

Vendi pa një rritje prej 73% të sulmeve të tilla në vitin 2022 krahasuar me vitin e kaluar, sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme.

Të paktën 1,248 refugjatë dhe azilkërkues u vunë në shënjestër të dhunës verbale dhe fizike jashtë strehimoreve të refugjatëve, tha ministria në përgjigje të një pyetjeje parlamentare.

Deputetja e Partisë së Majtë, Clara Bunger, tha se shifrat ishin shqetësuese dhe bëri thirrje për masa më të forta kundër grupeve të ekstremit të djathtë.

“Kjo duhet të na vendosë në gatishmëri të lartë, sepse numri i sulmeve është rritur sërish pas kaq shumë vitesh. Refugjatët që kërkojnë siguri dhe mbrojtje këtu janë të tmerruar”, tha ajo për të përditshmen Neue Osnabrucker Zeitung.

Gjermania pranoi më shumë se 1.2 milionë refugjatë në vitin 2022. Shumica dërrmuese e tyre ishin ukrainas që u larguan nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015, Gjermania mirëpriti më shumë se 1 milion refugjatë, shumë prej tyre ishin sirianë që i shpëtonin luftës civile të vendit.

Vendi ishte dëshmitar i rritjes së ksenofobisë dhe urrejtjes kundër emigrantëve në atë kohë, të ushqyer nga propaganda e grupeve neo-naziste dhe partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Në vitin 2015, më shumë se 1000 strehimore refugjatësh u sulmuan në të gjithë vendin. Që atëherë, shifra ishte në rënie nga viti në vit, dhe ishte më e ulëta në vitin 2021, me 70 sulme të raportuara. /mesazhi