Gjermania tërheq trupat e fundit nga Afganistani

Annegret Kramp-Karrenbauer

Gjermania tërhoqi ushtarët e saj të fundit nga Afganistani, duke i dhënë fund misionit gati 20-vjeçar në këtë vend, tha Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Ushtarët “tani janë duke u kthyer në shtëpi”, tha ministrja Annegret Kramp-Karrenbauer.

“Kjo i jep fund një kapitulli historik – një veprimi që na sfidoi dhe formoi”, tha ajo.

Kontingjenti i Gjermanisë, i cili përqendrohej në Afganistanin verior, numëronte rreth 1,100 pjesëtarë që nga prilli.

Kramp-Karrenbauer falënderoi mbi 150,000 burra dhe gra të ushtrisë gjermane, që shërbyen në Afganistan që nga viti 2001.

“Ju mund të jeni krenarë për atë që keni arritur”, tha ajo.

Sipas ushtrisë gjermane, 59 pjesëtarë të saj u vranë gjatë shërbimit në Afganistan.

Të gjitha trupat e huaja pritet të tërhiqen nga Afganistani deri më 11 shtator.

Në këtë datë shënohet 20-vjetori i sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA – ngjarje kjo që ka çuar në ndërhyrjen në Afganistan. /rel