Gjermania vë në funksion superkompjuterin më të fuqishëm në Evropë

Superkompjuteri më i fuqishëm evropian, Jupiter, është prezantuar sot në Gjermani, në një qendër kërkimore-shkencore në qytetin Jilih, në pjesën perëndimore të vendit.

Kompjuteri me emrin Jupiter, sipas DW, është i aftë të kryejë një kvintilion llogaritje në sekondë, që është e krahasueshme me pothuajse një milion smartphone.

Sistemi me vlerë 500 milionë euro, i cili është financuar së bashku nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian, është vendosur në Qendrën e Superkompjuterëve në Jilih dhe funksionon me 24 mijë çipa të Nvidia-s.

“Jupiter do të jetë sistemi më i avancuar dhe më i gjithanshëm në botë me kapacitet kvintilionesh për simulime me saktësi të lartë dhe për trajnimin e modeleve më të mëdha të inteligjencës artificiale”, thuhet në deklaratën e Thomas Lipert, drejtues i qendrës në Jilih.

Studiuesit shpresojnë që Jupiter do ta ndihmojë Evropën të zvogëlojë hendekun në fushën e inteligjencës artificiale, ku ajo ka mbetur prapa krahasuar me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.

Sistemi do të mbështesë gjithashtu parashikimet afatgjata të klimës, do të simulojë proceset në tru dhe do të ndihmojë në inovacionet energjetike.

Jupiter është superkompjuteri i katërt më i fuqishëm në botë. Tre më të fuqishmit ndodhen në SHBA dhe janë të aftë të kryejnë më shumë se një mijë kuadrilion llogaritje në sekondë.