Bojkot për herë të dytë ndaj Eurovizionit, për shkak të Izraelit
Transmetuesi publik holandez NPO, njoftoi të martën se Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin 2027, duke përmbysur kështu vendimin e mëparshëm për rikthimin në festival.
Bojkoti i radhës vjen si rrjedhojë e pranisë së Izraelit në garë dhe përçarjeve që kjo çështje ka shkaktuar në shoqërinë holandeze.
Me këtë hap, Holanda i bashkohet sërish vendeve si Irlanda, që refuzojnë të marrin pjesë për shkak të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza.
Drejtuesit e mediave holandeze deklaruan se megjithëse festivali do të transmetohet për publikun vendas, asnjë transmetues nuk pranoi të merrte përsipër organizimin e përfaqësimit kombëtar.
Eurovizioni i vitit 2027 është parashikuar të zhvillohet në Burgas të Bullgarisë. Ky vendim i Holandës përfaqëson një akt të lartë ndërgjegjeje qytetare dhe dinjiteti institucional.
Në një kohë kur interesat tregtare dhe ekonomike shpesh po zbehin kufijtë mes të drejtës dhe të gabuarës, qëndrimi i transmetuesit holandez qëndron si një shembull i shkëlqyer i integritetit moral.
Përmes këtij bojkoti, Holanda refuzon kategorikisht kthimin e një platforme kulturore e festive në një mjet për normalizimin e një regjimi gjenocidal që po kryen një fushatë të pamëshirshme ushtarake ndaj popullsisë civile në Gaza.
Kjo zgjedhje dëshmon se vlerat e humanizmit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, qëndrojnë shumë më lart se zbavitja televizive apo interesat e ngushta të industrisë së artit.
Në kontrast të fortë e të dhimbshëm me këtë përgjegjësi etike të Evropës perëndimore qëndron Shqipëria e drejtuar ende nga Edi Rama.
Ndërsa vende me traditë të konsoliduar demokratike mbajnë qëndrime të qarta parimore dhe refuzojnë të bëhen spektatorë të një tragjedie njerëzore, qeveria shqiptare e ka shndërruar vendin në një “han pa porta”.
Në Shqipëri, dyert u hapen pa asnjë filtër moral, kusht apo debat publik politikave dhe interesave të regjimit të Tel Avivit.
Përballë krimeve të rënda dhe situatës katastrofike humanitare në Gaza, qeveria në Tiranë jo vetëm që nuk ka treguar kurajën minimale për të ngritur zërin apo për t’u distancuar, por vazhdon të shfaqë një oportunizëm dhe servilizëm të thellë gjeopolitik.
Ky pasivitet i qëllimshëm dhe ushqim i marrëdhënieve zyrtare pa asnjë kriter etik e rreshton Shqipërinë në anën e gabuar të historisë.
Kontrasti mes dinjitetit holandez dhe nënshtrimit të pushtetit shqiptar, është një pasqyrë e trishtë e degradimit të diplomacisë sonë sot. \tesheshi





