Gjimshiti lëndohet në fitoren e Atalantas ndaj Romës

Berat Gjimshiti nuk ka arritur të luajë deri në fund ndeshjen të cilën Atalanta e fitoi 3:1 në shtëpi ndaj Romës të hënën mbrëma. Ai u zëvendësua në minutën e 73-të shkau i një lëndimi. Ndeshja i takoi javës së 31-të të Series A të Italisë.

Me këtë fitore, Atalanta ka mbetur në garë për të siguruar vend në katërshen e parë që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Atalanta zë vendin e shtatë me 52 pikë, është 4 pikë larg Milanit që zë vendin e katërt. Roma është e pesta me 56 pikë.

Mario Pashaliq shënoi golin e parë për Atalantan në ndeshjen ndaj Romës. Ai realizoi në minutën e 39-të. Për 2:0 realizoi Rafael Toloi në minutën e 74-t, ndërsa Lorenzo Pellegrini më pas ngushtoi disavantazhin për Romën në 2:1. Lorenzo Pellegrini shënoi në minutën e 83-të, ndërsa një minutë më vonë Atalanta shënoi edhe golin e tretë nëpërmjet Teun Koopmeineres.