Gjykata e BE-së: Ndalimi i shamisë në punë nuk është diskriminim

Për gjyqtarët e Luksemburgut, rregullat e brendshme të kompanisë kundër shenjave të dukshme fetare, filozofike ose shpirtërore duhet megjithatë “të zbatohen në një mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim”.

Rregullat e brendshme të punës së një kompanie “të cilat ndalojnë mbajtjen e shenjave fetare, filozofike ose shpirtërore në mënyrë të dukshme nuk përbëjnë diskriminim të drejtpërdrejtë nëse zbatohen në mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim”.

Kështu është vendosur nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, duke u shprehur për rastin e një qytetare nga Belgjika me besim mysliman. Gruas i ishte mohuar një kontratë stazhi pasi refuzoi të hiqte shaminë e saj për të respektuar politikën e neutralitetit të kompanisë.

Në vendimin e Gjykatës së BE-së, gjyqtarët e Luksemburgut vërejnë se “feja dhe besimet personale duhet të konsiderohen si një dhe e vetmja bazë e diskriminimit, përndryshe duke rrezikuar kuadrin e përgjithshëm për trajtim të barabartë për sa i përket punësimit dhe kushteve të punës, të përcaktuara nga ligji i BE-së”.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë
Gjykata Evropiane e Drejtësisë

Gjykata specifikon se, sipas ligjit komunitar, “një dispozitë e një rregulloreje të punës së një kompanie që i ndalon punonjësit të shprehin verbalisht, me veshje ose në ndonjë mënyrë tjetër, bindjet e tyre fetare ose filozofike, të çfarëdo lloji, nuk përbën, në lidhje me punonjësit. të cilët synojnë të ushtrojnë lirinë e tyre të fesë dhe të ndërgjegjes duke veshur në mënyrë të dukshme një shenjë ose një veshje me konotacion fetar, diskriminim të drejtpërdrejtë ‘bazuar në fe ose në bindje personale’, me kusht që dispozita të zbatohet në mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim”. /dosja