Gjykata e Lartë në Brazil urdhëron arrest shtëpiak për ish-presidentin Bolsonaro

Jair Bolsonaro

Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Brazilit ka urdhëruar vendosjen në arrest shtëpiak të ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili po përballet me gjykim për akuzat se ka planifikuar një grusht shteti.

Vendimi erdhi pasi Bolsonaro mori pjesë përmes një videomesazhi në një protestë të mbajtur të dielën në Rio de Janeiro, duke shkelur një ndalim të mëparshëm të mediave sociale dhe masën e mbikëqyrjes me byzylyk elektronik.

Gjykatësi Alexandre de Moraes e cilësoi pjesëmarrjen e tij si “të fshehtë” dhe “sjellje të paligjshme”, duke shtuar se Bolsonaro po përpiqet të ndikojë në drejtësinë braziliane dhe të nxisë mbështetësit për të kundërshtuar Gjykatën e Lartë.

Vendimi ndalon gjithashtu vizitat në banesë, përveç avokatëve dhe personave të autorizuar nga gjykata, ndërsa policia është urdhëruar të konfiskojë të gjitha pajisjet elektronike në pronësi të tij.

Protesta në mbështetje të Bolsonaro-s u zhvilluan në disa qytete të Brazilit, të nxitura edhe nga sanksionet e fundit të SHBA ndaj Brazilit dhe gjykatësit Moraes. Shtetet e Bashkuara e dënuan vendimin për arrestin shtëpiak dhe e quajtën Moraes “shkelës të sanksionuar të të drejtave të njeriut”, duke kërkuar që Bolsonaro të lejohet të flasë publikisht. /mesazhi