Gjykata e lartë në Serbi: Urdhër-arresti për Haradinajn mbetet në fuqi

Ministria serbe e drejtësisë nuk ka marrë ende ndonjë njoftim nga Interpoli për të hequr urdhër-arrestin për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kurse Gjykata e lartë serbe ka thënë sot për Beta se fletarresti për shefin e qeverisë kosovare mbetet në fuqi.

“Asnjë vendim për tërheqjen e urdhër-arrestit nuk është bërë. Urdhëri mbetet në fuqi”, ka bërë të ditur kjo gjykatë, transmeton lajmi.net

Gjatë ditëve të fundit u konfirmua se me kërkesën e UNMIK-ut, Interpoli kishte hequr Haradinajn nga lista e të kërkuarve për krime lufte.

Veç Haradinajt, nga kjo listë janë hequr edhe 17 persona tjerë.

Ministria e Punëve të Brendshme serbe njoftoi se do të bëjnë ankesë ndaj këtij vendimi, kurse rasti do të trajtohet edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ministri serb, Aleksandar Vulin kishte reaguar ashpër dje gjatë ditës duke thënë se fletarresti ndaj Haradinajt nuk do të largohet.