Ballina Lajmet Kosovë Gjykata e Strasburgut do të trajtojë çështjen e pasivizimit të adresave në...

Gjykata e Strasburgut do të trajtojë çështjen e pasivizimit të adresave në Luginë të Preshevës

Gjykata e Strasburgut ka regjistruar padinë lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Këtë e ka bërë të ditur avokati Drini Grazhdani, i cili ka dorëzuar padinë në emër të Teuta Fazliut kundër Serbisë, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që ka thënë se kanë ndodhur ndaj Fazliut.

Grazhdani ka thënë se regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90% të rasteve që në fazën fillestare.

“Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme”, ka shkruar Grazhdani.

Ai ka shkruar se Serbia është angazhuar në spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve, duke i pasivizuar adresat jo vetëm të atyre që punojnë jashtë, por edhe të atyre që jetojnë brenda vendit.