Udhëheqësja civile e rrëzuar e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, po përballet me 160 vjet burg, pasi një gjykatë shtoi pesë akuza të reja kundër saj.
Laureatja e Nobelit ka qenë në arrest shtëpiak që nga 1 shkurti 2021, disa orë para se ushtria të rrëzonte liderët e zgjedhur dhe të merrte pushtetin.
Ajo tashmë është dënuar me gjashtë vjet burg, pasi gjykata e shpalli fajtore për pesë kallëzime penale.
Ajo ende përballet me gjashtë akuza të tjera, plus pesë të rejat. Dhjetë prej tyre dënohen me deri në 15 vjet burg secila.
76-vjeçarja u shpall fajtore për import të paligjshëm të radiove, shkelje të kufizimeve të koronavirusit dhe nxitje të trazirave, pasi i shkroi komunitetit ndërkombëtar, duke i kërkuar që të mos e njohë qeverinë ushtarake.
Suu Kyi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, raporton DW.
Myanmar ka qenë në trazira politike që nga grushti ushtarak i shtetit në shkurt të vitit 2021.
Që atëherë, ushtria ka pasur vështirësi në shtypjen e protestave popullore si dhe rezistencën e armatosur kundër sundimit të saj. /klankosova






