Kategoritë e shpenzimit të zekatit i ka përcaktuar Allahu në tetë grupe. Ai i Lartësuari thotë: “Lëmoshat (zekati) janë vetëm për të varfrit, për të mjerët, për ata që punojnë në mbledhjen e tyre, për ata zemrat e të cilëve duhen afruar, për lirimin e robërve, për borxhlinjtë, në rrugë të Allahut dhe për udhëtarin — si obligim nga Allahu; dhe Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.”[1]
Dijetarët kanë pasur mospajtim lidhur me kuptimin e shprehjes “në rrugë të Allahut”: a është ajo e kufizuar vetëm në çështjen e xhihadit, apo është e përgjithshme dhe përfshin çdo gjë që i shërben kësaj feje. Mendimi që mbajnë shumica e dijetarëve është se ajo është e përgjithshme, dhe për këtë arsye lejohet shpenzimi i zekatit në këtë fushë.
A nënkupton shprehja “në rrugë të Allahut” vetëm xhihadin?
Në fetvanë e nxjerrë nga Konferenca e Parë për Çështjet Bashkëkohore të Zekatit thuhet: “Shprehja ‘në rrugë të Allahut’ nënkupton xhihadin në kuptimin e tij të gjerë, ashtu siç e kanë përcaktuar juristët islamë, që do të thotë ruajtja e fesë dhe lartësimi i fjalës së Allahut. Ajo përfshin, krahas luftës, edhe thirrjen në Islam, punën për zbatimin e sheriatit të Tij, largimin e dyshimeve që ngrenë kundërshtarët ndaj tij, si dhe përballimin e rrymave armiqësore ndaj tij.”
Kanalet televizive islame të pastra, që merren me përhapjen e Islamit, sqarimin e bazave të tij dhe luftimin e bidatit, janë të ngjashme me zyrat e thirrjes për komunitetet (da‘uas), madje ndonjëherë mund të kenë ndikim edhe më të madh. Prandaj, kush e pranon këtë fetva për shpenzimin e zekatit për thirrjen islame, mund ta zbatojë atë edhe për çështjen e kanaleve islame.
A lejohet shpenzimi i zekatit për thirrjen në rrugën e Allahut?
Parimi bazë është që zekati të shpërndahet në tetë kategoritë e përmendura në Kuran. Megjithatë, nuk ka dyshim se thirrja në Allahun është prej detyrave më të rëndësishme. Kur ajo pengohet dhe lind nevoja që të merret nga zekati për t’u ndihmuar thirrjes së jomyslimanëve dhe për t’i mësuar ata ritet e fesë, kjo lejohet. Po ashtu, kur ka nevojë të ngutshme, lejohet nga zekati përgatitja e thirrësve, shtypja e broshurave dhe regjistrimi i materialeve islame.
Këto projekte bamirëse janë farz kifaje për myslimanët. Allahu ka sjellë dobi të mëdha përmes thirrjes dhe thirrësve, dhe përmes tyre shumë njerëz kanë hyrë në Islam. Prandaj lejohet shpenzimi i zekatit për këto projekte, duke u konsideruar se ato përfshihen në “rrugën e Allahut”, e cila përfshin çdo gjë që e afron njeriun te Allahu.
Burimi: islamonline.net
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Teube: 60.








