Greqia përfshihet nga zjarret masive, 300 zjarrfikës në garë me kohën

Vijon lufta kundër flakëve në kodrat në perëndim të Greqisë. Thuajse 300 zjarrfikës punuan edhe përgjatë natës, për të shuar zjarrin që ka shkrumbuar pemët e ullirit dhe pishat, dhe që për shkak të përhapjes, ka mbërritur edhe në det, duke dëmtuar edhe shtëpi pranë plazheve.

Banorët e disa fshatrave u evakuuan të shtunën, kur zjarri kaloi mbi autostradën që lidh Athinën me Patrën, qytetin e tretë më të madh të Greqisë. Zjarri shpërtheu në kodrat e Zirias në Peloponez, rreth 30 km në lindje të Patrës, dhe u përhap me shpejtësi drejt bregut.

Sipas zyrtarëve, 15 persona janë dërguar në spital për shkak të ndërlikimeve me frymëmarrjen, si pasojë e zjarreve.

Më herët, autoritetet greke kanë paralajmëruar qytetarët për një rrezik të shtuar të zjarreve gjatë valës së të nxehtit, që pritet të arrijë kulmin javën e ardhshme, me temperatura deri në 45 gradë Celsius. /euronews