Shkencëtarët kanë marrë frymëzim nga natyra për të gjetur zgjidhje krijuese ndaj problemeve më të ndërlikuara. Kohët e fundit, kërkimet kanë hedhur dritë mbi grerëzat parazitare, të cilat mund të jenë çelësi për zhvillimin e teknikave kirurgjikale më efikase. Këto grerëza janë pajisur me një mjet të quajtur “ovipozitor”, një gjilpërë e zbrazët që e përdorin për të vendosur vezët e tyre brenda pritësve – si larvat – me një saktësi shumë të lartë.
Një studim i fundit, i botuar në revistën “Frontiers in Bioengineering and Biotechnology”, tregoi se ovipozitori nuk është një gjilpërë e zakonshme, por ka një mekanizëm të avancuar. Struktura e tij përbëhet nga tehe të imta që lëvizin në mënyrë të alternuar lart e poshtë, gjë që i lejon të depërtojë në inde me lehtësi dhe saktësi të jashtëzakonshme.
Mekanizmi i ovipozitorit në kirurgjinë moderne
Pas studimeve të thelluara mbi këtë krijesë të vogël, shkencëtarët u frymëzuan nga teknologjia e saj për të zhvilluar një gjilpërë kirurgjikale fleksibile dhe të drejtuar, e cila mund të arrijë në zona të thella brenda trupit për të kryer ndërhyrje komplekse – si heqja e mpiksjeve të gjakut apo largimi i tumoreve – pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëdha kirurgjikale.
Kjo gjilpërë e frymëzuar nga grerëzat parazitare ka shumë përparësi: zvogëlon dëmtimin e indeve të shëndetshme, u mundëson mjekëve të arrijnë zonat e synuara me saktësi maksimale, dhe redukton nevojën për prerje të mëdha kirurgjikale, duke shkurtuar kohën e rikuperimit dhe ulur ndërlikimet e mundshme.
Kateteri fleksibël i frymëzuar nga grerëzat
Duke u bazuar në këtë frymëzim, studiuesit në një universitet britanik arritën të zhvillojnë një sistem kateteri fleksibël që u mundëson mjekëve të arrijnë zonat e thella të trurit për trajtim, një arritje mjekësore e paprecedentë. Kateterët tradicionalë hasin vështirësi për të arritur këto zona për shkak të ngurtësisë së tyre të kufizuar.
Sipas faqes “Medgadget”, kateterët e zakonshëm kanë mangësi thelbësore, më e rëndësishmja mungesa e fleksibilitetit për të depërtuar në mënyrë të sigurt në zonat e thella të trurit pa dëmtuar indet e ndjeshme.
Në të kundërt, kateteri i ri i zhvilluar nga studiues në “Imperial College London” ka fleksibilitet të jashtëzakonshëm. Ai funksionon përmes një krahu mekanik të drejtuar me saktësi të lartë nga inteligjenca artificiale, duke i mundësuar të arrijë në zonat e synuara pa dëmtuar indet jetësore.
Ajo që e bën këtë shpikje edhe më të veçantë është fakti se dizajni i saj është frymëzuar nga mënyra se si grerëzat parazitare vendosin vezët në lëvoren e pemëve, duke përdorur një mjet të përbërë nga pjesë të ndërthurura që rrëshqasin mbi njëra-tjetrën për të siguruar depërtim shumë të saktë.
Roli kyç i mjeteve të frymëzuara nga grerëzat
Kateteri i ri përbëhet nga katër komponentë të ndërthurur, gjë që i mundëson lëvizje të buta dhe të rrjedhshme brenda indeve të trurit. Gjithashtu, fibrat optike përgjatë kateterit u ofrojnë kirurgëve një pamje të qartë dhe të saktë gjatë operacioneve, duke rritur shanset e suksesit me rrezik minimal.
Ky sistem drejtohet nga një inteligjencë artificiale e avancuar, që e lejon të ndërveprojë me mjedisin delikat të trurit. Kirurgët mund ta drejtojnë me saktësi të lartë për të arritur zonat e sëmura pa dëmtuar qelizat e shëndetshme. Ky zhvillim rrit ndjeshëm aftësinë për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve neurologjike komplekse.
Me përparimin e vazhdueshëm në inxhinierinë biomjekësore, këto mjete të frymëzuara nga grerëzat parazitare po marrin rol qendror në kirurgjinë precize moderne, sidomos në trajtimin e mpiksjeve të gjakut, heqjen e tumoreve dhe sëmundjeve që kërkojnë arritjen e zonave të vështira brenda trupit.
Grerëzat parazitare në bujqësi
Këto grerëza i përkasin rendit të himenopterëve, që përfshin edhe bletët dhe milingonat. Por ndryshe nga këto, ato kanë një mënyrë jetese unike: nuk ndërtojnë fole dhe nuk kujdesen për të vegjlit e tyre, por përdorin një strategji shumë të veçantë për mbijetesën e pasardhësve.
Femrat injektojnë vezët e tyre brenda trupave të insekteve pritëse, që zakonisht janë dëmtues bujqësorë si mizat dhe vemjet.
Grerëzat parazitare konsiderohen “ushtarë të padukshëm” në bujqësi, pasi mbrojnë të mbjellat nga insektet e dëmshme, duke qenë një nga armët natyrore më efektive kundër dëmtuesve. Pavarësisht përmasave të vogla, ndikimi i tyre ekologjik është i madh: ndihmojnë në uljen e përdorimit të pesticideve kimike dhe ruajnë ekuilibrin natyror.
Një sistem riprodhimi unik
Grerëzat parazitare dallohen për përmasat e vogla (nga 1 deri në 10 milimetra), trupin e hollë dhe krahët transparentë, si dhe për ovipozitorin, një mjet biologjik i ngjashëm me gjilpërën që përdoret për të vendosur vezët brenda ose mbi insektet pritëse.
Pasi vezët çelin, larvat fillojnë të ushqehen nga brenda me trupin e pritësit, duke çuar përfundimisht në vdekjen e tij. Kur zhvillimi i tyre përfundon, grerëzat dalin dhe fillojnë një cikël të ri jetësor, duke i bërë kështu një mjet natyror shumë efektiv për kontrollin e dëmtuesve.
Autor: Nurudin Sauash
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com








