Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, është dënuar të enjten me shtatë vjet burgim për fshehjen e pasurisë në rastin “Parcelat në Vodno”, njoftoi Alsat-M.
Përveç dënimit me burgim, si masë gjyqësore ndaj tij është vendosur edhe konfiskimi i pasurisë.
Të përfshirët e tjerë në këtë vepër penale, ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, u dënua me një vit e tre muaj burgim, biznesmeni Orce Kamçev me një vit, ndërsa Risto Novaçevski dhe bashkëpunëtori i Kamçevit, Nenad Josifoviq morën dënim me kusht.
Gjykata vendosi edhe për konfiskim të pronës së Gruevskit. Bëhet fjalë për banesa dhe parcela në Vodno. Në konfiskim përfshihen tri banesat luksoze në “Panorama Residence” si dhe dy banesa në rrugën “Bihaqka”.
Nga konfiskimi janë përjashtuar pronat në pronësi të nënës së Gruevskit. Prokurorja Lile Stefanova tha se sipas vlerës së tregut, pasuria e konfiskuar e të gjithë të dënuarve kap vlerën e rreth tre milionë eurove.
Sipas aktgjykimit, paratë nga anëtarësia e VMRO-DPMNE-së, që janë paguar në emër të partisë, kanë përfunduar te Gruevski. Me ato para, Gruevski ka blerë prona në Shkup dhe ka fshehur pronësinë prej 1.3 milionë euro.
Gruevski tash e një kohë jeton si azilant politik në Hungari. /koha







