Grupi G7 arriti miratoi një udhërrëfyes për angazhimin e ardhshëm me talebanët

Vendet anëtare të grupit G7 u bëjnë presion talebanëve për garantimin e kalimit të sigurt të afganëve përtej afatit 31 gushtit

Grupi G7 arriti një marrëveshje në lidhje me mënyrën se si të angazhohen me talebanët dhe riafirmoi angazhimet humanitare ndaj afganëve pasi lëvizja e armatosur mori kontrollin në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një takim urgjent online të kryesuar nga Britania e Madhe, grupi G7 gjithashtu kërkoi nga talebanët të garantojnë kalimin e sigurt të të gjithë afganëve që kërkojnë të largohen përtej afatit të mandatuar nga SHBA më 31 gusht.

“Ne pohojmë angazhimin tonë të qëndrueshëm ndaj popullit të Afganistanit, përfshirë përmes një përpjekjeje të përtërirë humanitare nga bashkësia ndërkombëtare. Për këtë qëllim ne mbështesim OKB-në në koordinimin e reagimit të menjëhershëm humanitar ndërkombëtar në rajon, përfshirë aksesin humanitar të papenguar në Afganistan, si dhe do të kontribuojmë kolektivisht në atë reagim”, tha G7 në një deklaratë.

“Përderisa e bëjmë këtë, ne do t’i gjykojmë palët afgane nga veprimet e tyre, jo nga fjalët. Në veçanti, ne riafirmojmë se talebanët do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre në parandalimin e terrorizmit, në të drejtat e njeriut, në veçanti ato të grave, vajzave dhe pakicave dhe në ndjekjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse politike në Afganistan. Legjitimiteti i çdo qeverie të ardhshme varet nga qasja që ajo tani merr për të respektuar detyrimet dhe angazhimet e saj ndërkombëtare për të siguruar një Afganistan të qëndrueshëm”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se prioriteti i menjëhershëm është sigurimi i evakuimit të sigurt të të gjithë shtetasve të huaj në Afganistan, si dhe afganët që mbështetën forcat e koalicionit të NATO-s gjatë konfliktit 20-vjeçar.

Grupi e bëri të qartë se do të vazhdojë koordinimin me talebanët për të siguruar që evakuimet të vazhdojnë pa incidente.

Deklarata nga kombet më të fuqishme dhe më të pasura në botë u botua në të njëjtën ditë që presidenti amerikan Joe Biden refuzoi të zgjasë afatin e evakuimit dhe ka qëndruar në vendimin e tij të mëparshëm.

Përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar për të bindur SHBA-në për të zgjatur evakuimet me sa duket kanë kanë dështuar dhe talebanët kanë paralajmëruar se çdo zgjatje do të përballet me “pasoja”.

“Ju keni dëgjuar atë që ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe keni dëgjuar atë që kanë thënë talebanët. Unë mendoj se ju duhet të kuptoni kontekstin në të cilin po e bëjmë këtë. Ne jemi të bindur se mund të nxjerrim mijëra të tjerë”, tha kryeministri britanik Boris Johnson në një deklaratë pas takimit.

“Kushti numër një, të cilin ne e vendosim si G7 është që ata (talebanët) duhet të garantojnë, deri më 31 gusht dhe më tej, kalimin e sigurt. Kalim i sigurt për ata që duan të dalin. Disa prej tyre do të thonë se nuk e pranojnë këtë dhe shpresoj se disa do ta shohin kuptimin e kësaj sepse G7 ka një ndikim shumë të konsiderueshëm, ekonomik, diplomatik dhe politik”, tha ai.

Johnson paralajmëroi se grupi G7 ka “ndikim të madh” kundër talebanëve, veçanërisht ekonomik, pasi shumica e aseteve financiare të Afganistanit qëndrojnë në banka jashtë vendit, asete që do të jenë jetike për një qeveri të ardhshme talebane që kërkon të rindërtojë vendin dhe të ushqejë njerëzit.

Kryeministri britanik tha gjithashtu se Afganistani nuk mund të bëhet një terren i ushqimit të terrorizmit dhe se të drejtat e grave dhe vajzave duhet të respektohen.

“Ne duam të ndihmojmë me krizën humanitare, por kur vjen puna për t’u angazhuar me talebanët, G7 ka një ndikim të madh. G7 ra dakord për një udhërrëfyes për angazhimin e ardhshëm me talebanët”, theksoi ai.

“Pra, nëse ato fonde të mëdha do të lirohen përfundimisht për t’u përdorur nga qeveria dhe populli i Afganistanit, atëherë, ajo që ne po themi është se Afganistani nuk mund të kthehet në një terren të ushqimit të terrorit. Afganistani nuk mund të bëhet një narko-shtet, vajzat duhet të arsimohen deri në moshën 18 vjeç e kështu me radhë. Këto janë gjëra të rëndësishme që ne i vlerësojmë si G7”, tha kryeministri britanik. /aa