Grupi i Bashkuar për Konsensus diskuton për reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Zyrtarë të lartë nga vendet e Grupit të Bashkuar për Konsensus (UfC) u takuan dje në Romë dhe diskutuan “reformën kuptimplotë” të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), raporton Anadolu.

Në takim morën pjesë delegacione nga 12 shtete anëtare të UfC-së, përkatësisht nga Argjentina, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Italia, Malta, Meksika, Pakistani, Republika e Koresë, Republika e San Marinos, Spanja dhe Türkiye.

Ministria e Punëve të Jashtme italiane njoftoi se takimi u organizua nga Istituto Affari Internazionali (IAI), një think tank italian për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Shoqata Italiane e Kombeve të Bashkuara (UNA Italy) me synimin për të promovuar një Këshill të Sigurimit më përfaqësues, më demokratik, më transparent dhe më të përgjegjshëm.

“Krizat e vazhdueshme dhe rritja e numrit të konflikteve kanë nxjerrë në pah nevojën për një reformë kuptimplotë të Këshillit të Sigurimit. Tani më shumë se kurrë, neve na duhet një Këshill i Sigurimit që përmbush efektivisht mandatin e tij”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë theksohet se nevojitet urgjentisht reforma në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

UfC bashkon 12 vende dhe mbështet rritjen e numrit të anëtarëve të KS të OKB-së, si dhe thekson faktin se Këshilli i Sigurimit nuk përfaqëson më dinamikën globale të 142 anëtarëve të rinj që iu bashkuan OKB-së që nga themelimi i saj në 1945.

“Duke shtuar vende të reja të zgjedhura për grupet rajonale duke përfshirë Afrikën, Azinë dhe Paqësorin, Amerikën Latine dhe Karaibet, Evropën Lindore dhe Shtetet e Vogla Ishullore në Zhvillim (SIDS), propozimi përmirëson shpërndarjen e barabartë gjeografike në Këshill”, tha UfC.

Në deklaratë thuhet se vendet e UfC-së vazhdojnë të punojnë së bashku për të krijuar reforma dhe përshtatje të qëllimshme të Këshillit të Sigurimit ndaj sfidave të shekullit të 21-të.