Guterres: “Nuk do të hesht” për zgjidhjen me dy shtete

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se do të vazhdojë të kërkojë zgjidhjen me dy shtete për Palestinën, duke theksuar se “nuk do të heshtë” edhe nëse Këshilli i Sigurimit nuk arrin të veprojë.

Në një sesion me gazetarë të rinj në kuadër të Fellowship-it RAF 2025, Guterres paralajmëroi për një “stuhi të përsosur” krizash globale. Ai përmendi luftën Rusi-Ukrainë, shkatërrimin masiv në Gaza, dhunën në rritje në Sudan, Myanmar dhe Sahel, si edhe përhapjen e terrorizmit në Afrikë.

Ai kritikoi ashpër paralizimin e Këshillit të Sigurimit, duke thënë se ai është i vjetruar dhe pa përfaqësim të përhershëm nga Afrika dhe Amerika Latine.

Sa i përket klimës, Guterres deklaroi se bota po shkon drejt tejkalimit të kufirit 1.5°C dhe se brezi i tij “ka dështuar” në veprimet klimatike. Ai theksoi se premtimet aktuale të uljes së emetimeve janë shumë larg asaj që kërkohet.

Guterres foli edhe për mungesën e fondeve humanitare, duke thënë se shkurtimet nga SHBA dhe donatorë të tjerë kanë krijuar një situatë të rëndë për komunitetet në krizë.

Ai u bëri thirrje të rinjve të mos heqin dorë nga organizatat ndërkombëtare, por të luftojnë për reformimin e tyre: “Nuk ka zgjidhje për problemet globale pa institucione të forta shumëpalëshe.” /mesazhi