Hamasi: Izraeli po shkel armëpushimin

Pas njoftimit se u arrit një armëpushim midis Izraelit dhe grupeve palestineze që sulmonin nga Rripi i rrethuar i Gazës, Hamasi njoftoi se pala që e shkel armëpushimin është Izraeli, transmeton Anadolu.

Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve të Hamasit me botën arabe dhe islamike, Khalil al-Hayya u dërgoi letra ministrave të Jashtëm të vendeve arabe, ambasadorëve të dhjetëra vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare në lidhje me sulmet e Izraelit.

Ai tha se tensionet që filluan me vdekjen e të burgosurit palestinez Khader Adnan pas grevës së urisë që zgjati 86 ditë vazhduan të rriteshin sulmet izraelite. Hayya deklaroi se pala që shkeli armëpushimin ishte Izraeli pasi dje u njoftua se u arrit një armëpushim midis Izraelit dhe grupeve palestineze që sulmonin nga Rripi i Gazës.

Duke i përshkruar sulmet e Izraelit si “terrorizëm”, Al-Hayya theksoi se kjo shkatërron sigurinë dhe stabilitetin.

Al-Hayya i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përgjegjësinë për popullin palestinez dhe të sigurojë që “Izraeli të gjykohet në gjykatat ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit”.

– Çfarë ka ndodhur?

Ushtria izraelite nisi një sulm në Gazën e bllokuar me arsyetimin se kishte në shënjestër udhëheqjen e Lëvizjes Xhihadi Islamik mëngjesin e së martës, 9 maj.

Grupet palestineze u përgjigjën duke lëshuar një seri raketash nga Gaza drejt Izraelit. Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite është rritur në 25 dhe numri i të plagosurve në 76.

Televizioni shtetëror egjiptian njoftoi dje se ishte arritur një armëpushim midis Izraelit dhe grupeve palestineze që sulmonin nga Rripi i rrethuar i Gazës.

Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “operacioni ushtarak që ata kishin nisur nuk ka përfunduar” dhe se ata vazhduan të sulmojnë Gazën.