Hamasi ka deklaruar se faza e dytë e armëpushimit në Gaza nuk mund të nisë për sa kohë që Izraeli vazhdon “shkeljet” e marrëveshjes. Zyrtari i Byrosë Politike të Hamasit, Hossam Badran, akuzoi Izraelin se nuk po respekton kushtet e armëpushimit, duke përmendur mos hapjen e vendkalimit Rafah dhe mungesën e rritjes së ndihmave humanitare që duhet të hyjnë në Gaza.
Ai u bëri thirrje ndërmjetësuesve të udhëhequr nga SHBA-ja të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për zbatimin e plotë të fazës së parë të marrëveshjes. Armëpushimi, në fuqi që nga 10 tetori, ka ndalur luftën shkatërruese në Gaza, por situata mbetet e brishtë për shkak të vazhdimit të sulmeve izraelite.
Nga ana tjetër, një zyrtar izraelit njoftoi se të mërkurën do të rihapet vendkalimi Allenby në kufirin mes Jordanisë dhe Bregut Perëndimor, për të lejuar hyrjen e kamionëve me ndihma për Gazën, për herë të parë që nga fundi i shtatorit.
Sipas marrëveshjes, Hamasi është zotuar të lirojë 48 pengjet e mbetura, të gjallë apo të vdekur, ndërsa Izraeli ka liruar gati 2,000 të burgosur palestinezë dhe ka kthyer trupat e qindra palestinezëve të vrarë. Po ashtu, marrëveshja kërkon rritje të ndjeshme të ndihmave për Gazën.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se pret që faza e dytë të nisë së shpejti, por Hamasi thotë se kjo nuk do të ndodhë “për sa kohë që vazhdojnë shkeljet”. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se të paktën 70,366 palestinezë janë vrarë deri tani nga lufta izraelite, ndërsa që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, 377 palestinezë janë vrarë në sulmet e Izraelit. /mesazhi





