Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hamasi paraqiti tre kërkesa të panegociueshme për armëpushim

Hamasi paraqiti tre kërkesa të panegociueshme për armëpushim

Në deklaraten e fundit, Hamasi ka përsëritur tri kërkesa të qarta si bazë për çdo marrëveshje që synon t’i japë fund veprimeve të dhunshme dhe shkatërrimit në Gaza.

Sipas deklaratës, përgjigjja ndaj ndërmjetësve është bërë në një kornizë që garanton një armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë dhe gjithëpërfshirëse të ushtrisë izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës, si dhe lehtësim të plotë të ndihmave humanitare.

Gaza ka nevojë urgjente për një vërshim ndihmash për të zëvendësuar mungesën e thellë të furnizimeve bazë.

Në marrëveshjen e mëparshme të janarit, që zgjati 42 ditë, ushtria izraelite nuk i respektoi kushtet e dakorduara – nuk lejoi futjen e lirë të ndihmave humanitare, përfshirë pajisje të rënda për spitale, dhe nuk u tërhoq nga zonat e pushtuara pas 7 tetorit 2023.

Shumë banorë nuk mundën të kthehen në shtëpitë e tyre në pjesët lindore dhe veriore të Gazës dhe në qytetin Rafah.

Tashmë, këto tri kërkesa – armëpushim i përhershëm, tërheqje e plotë izraelite dhe leje për ndihma të pakufizuara – janë në qendër të përgjigjes së Hamasit, ndërsa pritet reagimi i Izraelit. /mesazhi