Haradinaj: Këto 100 ditë të qeverisjes më të vështirat të jetës time

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka nisur takimin me Këshillin Drejtues të AAK-së në një nga hotelet e Prishtinës.

Ai nga aty ka thënë se janë mbledhur për të folur edhe për 100 ditëshin e qeverisjes “Haradinaj” dhe ka shfrytëzuar rastin ti falënderoj të gjithë për përkrahjen. Ai tha se këto 100 ditë të qeverisjes kanë qenë më të vështirat në jetën e tij, madje i ka krahasuar edhe me ditët e luftës, raporton indeksonline.

“100 ditë të qeverisjes sonë, po ju raportoj kanë qenë ditët më të rana të jetës sime në raste të caktume i kam krahasu me kohërat e ofensivave. Me vështirësi, sfida por kemi mbrri me kriju plan qeverisës, me identifiku dhe me arrit krejt ato ligje dhe norma të rëndësishme për vendin dhe gjitha temave me ja u ditë kufinët, kemi mbrri me ndal një tren që ka qenë “bomb” e kurdisur në KEK, ku dikush ka punu dy vjet me i harxhu rezervat e qymyrit vetëm me dëmtu shtetin” ka thënë ai.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu ka falënderuar edhe banoret e Hades, Shipitullës dhe Mirenës për bashkëpunimin kurse ka thënë se nga java tjetër do të filloj prodhimi i energjisë në dy blloqe, duke reduktuar kështu blerjen e energjisë nga jashtë.

“I falënderojmë banorët që e kanë kuptu që ky projekt ka rëndësi dhe një projekt i tillë ka kufi.  Nga java që vjen do të kërkoj mu punu në dy blloqe dhe mu importu ma pak dhe me dhanë më pak parë në energjinë e importime, ky është modele i Kosovës.”  tha ai.

Ndryshe në këtë mbledhje pritet të flitet edhe rreth Gjykatës Speciale.