Haradinaj – Ramës: Na ndihmoni ta forcojmë pavarësinë e Kosovës

Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, tashmë kanë filluar takimin e tyre të përbashkët, përgjatë festës së 28 Nëntorit.

Takimi ka filluar sot në Korçë, e më pas, nesër do të vazhdojë në Vlorë. Haradinaj në fjalën e tij ka kërkuar nga udhëheqësit e Shqipërisë që ta ndihmojnë Kosovën për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë.

Haradinaj është shprehur se Forcimi i pozitës së Kosovës në Ballkan, mund të përshpejtohet vetëm përmes bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri kosovar ka deklaruar se me 12 marrëveshjet që sot pritet të nënshkruhen në mes të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës do të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi në mes të dy vendeve.

“Kosova ende ka vështirësi në anëtarësimin e mekanizmat ndërkombëtarë, në marrjen e njohjeve. Andaj dua të apeloj që edhe Shqipëria ta ndihmojë Kosovën në anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë. Forcimi i Kosovës dhe i yni në Ballkan, përshpejtohet më mirë përmes bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Haradinaj.