Haxhi… statusi, sevapi dhe kriteret

Pyetje:”Cili është përkufizimi i Haxhit si nga ana gjuhësore ashtu dhe nga ana terminologjike? Ku bazoheni kur thoni që Haxhi është obligim individual? Kur plotësohen kriteret për të kryer Haxhin?”

Përgjigje: Haxh do të thotë synim dhe objektiv. Kurse në terminologjinë fetare, përkufizimi i Haxhit shprehet në disa mënyra:

Ibnu Ebi Hurejre e ka përkufizuar me fjalët: Rituale të caktuara, që kryhen në një vend dhe kohë të caktuar.

Ritualet e caktuara, përfshijnë gjithçka që duhet dhe nuk duhet të bëjë pelegrini. Vendet e caktuara, përfshijnë të gjithë ato vende të shenjta ku pelegrini e ka detyrë të gjendet. Koha e caktuar, është periudha e caktuar për kryerjen e Haxhit.

Shehu Muhamed ibnu Salih El-uthejmin e ka përkufizuar me fjalët: Është formë e adhurimit të Zotit të lartësuar, duke kryer ritet e vendosura nga profeti Muhamed a.s.”

Statusi i Haxhit: Ai është një ndër pesë shtyllat mbi të cilat ngrihet besimi islam.

Fakti që Haxhi është një obligim fetar, vjen nga Kurani, tradita profetike si dhe konsensusi i dijetarëve myslimanë.

Lidhur me Kuranin, Zoti thotë:“dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al Imran, 97)

“Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut!” (Bekare, 196)

Nga tradita profetike, kemi hadithin e Profetit a.s, i cili thotë:”Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla…kryerja e Haxhit.” Transmeton Ebu Hurejre se Profeti a.s predikoi dhe u tha:”O njerëz! Zoti e ka bërë Haxhin obligim për ju, prandaj kryejeni atë!” Një burrë e pyeti:”A çdo vit o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s u përgjigj:”Nëse do përgjigjesha me “po” do bëhej obligim dhe nuk do mundeshit. Prandaj, vazhdoni kështu siç jeni.”

I gjithë umeti mysliman janë në konsensus që Haxhi është obligim vetëm një herë në vit për ata që munden.

Lidhur me mirësitë dhe sevapin e Haxhit, ekzistojnë hadithe të shumta.

1 – Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s u pyet se cila ishte vepra më e mirë. Ai u përgjigj:”Besimi në Zotin dhe të dërguarin e Tij.” Mandej, pyetësi shtoi:”Po pas kësaj?” Profeti a.s ia ktheu:”Xhihadi në rrugën e Zotit.” Pyetës:”Po pas kësaj?” Profeti a.s:”Një Haxh i pranuar.”

2 – Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kush e kryen Haxhin për hatër të Zotit, nuk flet fjalë banale dhe nuk kryen vepra të turpshme, do të kthehet si ditën që e ka lindur nëna.”

3 – Transmeton imam Buhari dhe Muslim, se Aisheja e pyeti Profetin a.s:”Ne (gratë) e mendojmë xhihadin si veprën më të mirë. Përse të mos marrim pjesë edhe ne në xhihad (luftë)?” Profeti a.s i përgjigjet:”Për ju xhihadi më i mirë është haxhi i pranueshëm.”

Haxhi i pranuar, është ai që nuk shoqërohet me gjynahe dhe vepra që ia ulin vlerat, është Haxhi i cili i plotëson të gjithë kriteret dhe është kryer ashtu siç e kërkon Zoti.

Kriteret që Haxhi të jetë obligim për një person:

Të jetë mysliman, të jetë i logjikshëm, të ketë mbushur moshën e pjekurisë, të jetë i lirë (jo skllav), mundësia.

Këto kritere ndahen në tre kategori: Në kategorinë e parë hyjnë dy kriteret e para, islami dhe logjika. Kështu, Haxhin nuk është obligim për jomyslimanin dhe për të marrin, madje nuk ka asnjë vlerë për ta. Prej jomyslimanit nuk ka vlerë derisa të konvertohet në islam. Kurse prej të marrit nuk pranohet derisa të jetë në vete.

Kategoria e dytë, kanë të bëjnë me marrjen në konsideratë të Haxhit, ku hyn mosha e pjekurisë dhe të qenit i lirë (jo skllav). Kështu, nëse një skllav dhe fëmijë i vogël kryejnë Haxhin, u pranohet dhe ka vlerë, por nuk konsiderohet sikur e kanë kryer obligimin e tyre.

Kategoria e dytë, ka të bëjë me kushtin e obligimit, që është mundësia dhe aftësia. Nëse një person i pamundur dhe i sëmurë, merr rrugën e Haxhit dhe i përballon vështirësitë, Haxhi i tij është i saktë dhe i vlefshëm. Ashtu siç është i vlefshëm namazi në këmbë i një personi që nuk qëndron dot në këmbë.

Dijetarët kanë mospajtime lidhur me dy kushte të tjera:

1 – Siguria e rrugës.

2 – Plotësimi i udhëtimit

Zoti e di më mirë.

/ao