Hazardi drejt Turqisë

Mesfushori Eden Hazard pritet që karrierën ta vazhdojë në Turqi. “Marca” ka raportuar të martën se belgu mund t’i bashkohet skuadrës së Fenerbahçes gjatë këtij muaji. Mësohet se ekipi turk tashmë ka nisur negociatat me Real Madridin, i cili e ka nxjerrë në shitje Hazardin.

Fenerbahçe po kërkon huazimin e tij me opsionin e blerjes në fund të sezonit. Po ashtu, Fenerbahçe ka garantuar edhe mbulimin e një pjese të pagës për Hazardin, gjë që po i konvenon shumë klubit spanjoll.

Te Reali nuk llogaritin në Hazardin, i cili ka kontratë deri në vitin 2024. Ai këtë sezon ka regjistruar vetëm gjashtë paraqitje në të gjitha garat, ku ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim.

Hazard iu bashkua Realit në vitin 2019 nga Chelsea, por asnjëherë nuk arriti ta dëshmojë veten në Spanjë shkaku i lëndimeve të shumta.