Hetimet në Portugali, 290 raportime për abuzime seksuale në kishë për 90 ditë pune

Komiteti laik që shqyrton abuzimet historike seksuale të fëmijëve në Kishën Katolike Portugeze njoftoi sot se ka pranuar deklarata dëshmitarësh nga 290 viktima të supozuara në tre muajt e parë të punës, me raste që përfshinin fëmijë deri në 2-vjeç, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Më shumë se gjysma e rasteve të raportuara sugjerojnë se ishin përfshirë shumë më tepër viktima”, tha Pedro Strecht, një psikiatër që kryeson Komitetin e Pavarur për Studimin e Abuzimit të Fëmijëve në Kishë.

Komiteti prej gjashtë anëtarësh, i cili përfshin një psikiatër, një ish-gjyqtar të Gjykatës së Lartë dhe një punonjës social, filloi punën e tij në janar me urdhër të Konferencës së Peshkopëve Portugez, premton anonimitet për këdo që paraqitet.

Strecht tha se komiteti kishte hasur në shenja se zyrtarët e kishës, përfshirë peshkopët aktualë që ai nuk i përmendi, kishin kërkuar mbulimin e abuzimeve.

“Shpesh kemi hasur në raste të zhvendosjes së abuzuesit nga një vend në tjetrin, sikur në atë kohë vendi shihej si faktor kyç, jo personi aktual”, tha Strecht.

Komiteti tha se u ka kërkuar intervistim të gjithë 21 peshkopëve të Portugalisë për të diskutuar rreth punës së tyre. Vetëm 12 kanë rënë pranuar për takim dhe pesë nuk janë përgjigjur.

“Akuzat e regjistruara deri më tani kanë të bëjnë me abuzimin ndaj të miturve nga 2 deri në 17-vjeç”, tha në një konferencë për media, Ana Nunes Almeida, sociologe e Universitetit të Lisbonës dhe anëtare e komitetit.

Incidentet e supozuara ndodhën ndërsa të miturit ishin nën kujdesin e kishës, përfshirë në grupe të lidhura si grupet e studimit. Shumica e viktimave të dyshuara janë meshkuj.

Gjykatësi në pension Alvaro Laborinho Lucio tha se komiteti i ka kaluar 16 çështje Prokurorisë publike. Ai tha se afati i parashkrimit kishte skaduar në shumicën e rasteve të supozuara, të cilat ishin raportuar nga persona deri në 88-vjeç.

Sipas Komitetit, personi më i ri që pretendon abuzim ka lindur në vitin 2009. /aa