Holokausti palestinez

Hoxhë Justinian Topulli

Shifrat e vrasjeve të palestinezëve për botën “e qytetëruar” tashmë nuk thonë më asgjë, përderisa përkundrejt një izraeliti janë vrarë gati 5 palestinezë! Si duket është akoma raport i pakënaqshëm dhe i padrejtë, duhet të shkojë 1 me 10, ose më shumë!
Deri në fundin e kësaj lufte -nëse do të ketë fund- shifrat sigurisht do të rriten, por përsëri për laikët, i keqi ngelet palestinezi arabi terroristi mysliman, që është ngritur kundra të vetmit shtet në Lindjen e Mesme që përfaqëson vlerat e qytetërimit liberal demokratik perëndimor, ndërsa për fetarët mes tyre palestinezi është djalli bisha Anti-Krishti Babilonia heretiku mysliman, që është ngritur kundra popullit të zgjedhur të Zotit.
Kërkohet nga njerëzit qetësi, durim, vetëpërmbajtje dhe kontroll i emocioneve!
Ne që jemi larg dhe i përjetojmë vetëm nga distanca emocionet, trishtimin, zemërimin dhe dhimbjen, mund ta kemi relativisht të lehtë ta përmbajmë veten dhe të jemi gjakftohtë, por do të ndiheshim njëlloj si ata, po të ishim në vend të tyre.
Thjesht për një moment, ju diplomatët, ju laikët, ju asnjanësit, ju jomyslimanët, ju politikanët, ju joarabët, ju myslimanët e “moderuar” e “të paqshëm”, ju të gjithë që flisni me gjuhë të kuruar, duke fajësuar të dyja palët njëlloj apo justifikuar sionistët, mendojeni veten për pak kohë nëse do të ishit në vendin e palestinezëve, do të ishit në Gaza apo në Bregun Perëndimor, çfarë do të bënit dhe si do të silleshit?
Sigurisht, pa më të voglin dyshim, do të vijë një ditë që e gjitha kjo që ndodh sot e mot në Palestinë do të vlerësohet, ashtu siç u vlerësua Holokausti hebre. Thjesht të gjallët dhe të vdekurit në atë ditë, do mbartin turpin apo nderin e qëndrimit të sotëm.

Nga: Hoxhë Justinian Topulli