Në fund të vitit në treg vjen vetura e re e Hondës – Prelude. Sigurisht, emri është pjesë e historisë së Hondës, ndërsa teknologjia është pjesë e së tashmes së saj. Prelude nuk do të ketë emërtimin Type R, por do të marrë pjesë nga teknologjia e Honda Civic Type R.
Lajmi më i rëndësishëm është se Prelude do të marrë pjesën e përparme të pezullimit nga Civic Type R.
Dizajni unik, i cili ndan nyjën nga amortizatori, mundëson fleksibilitet të madh të boshtit të drejtimit dhe, më e rëndësishmja, ul ndikimin e çift rrotullimit të motorit mbi drejtimin e rrotave të përparme (shpërndarja e pabarabartë e çift rrotullimit gjatë përshpejtimit).

Prelude gjithashtu do të ketë frenat Brembo të përparme nga Civic Type R dhe gjurmë më të gjera si përpara ashtu edhe prapa, njësoj si Civic sportiv.
Siç ndoshta e dini, Prelude bazohet në platformën e Civic-ut. Qëndrimi i Hondës është se Prelude nuk do të jetë një kupe për pista garash, por një Grand Tourer me orientim sportiv.
Pra, nuk do të jetë i fokusuar si Civic Type R, por me siguri nuk do të jetë as i butë si gjalpi.
Prelude do të jetë një hibrid me transmetim CVT dhe pritet të ketë të paktën 200 kuaj/fuqi. Kjo është gjithçka që dihet për Prelude deri tani. Po presim për lajme të reja.








