Huayra Dinamica Evo është një veturë e re unike nga prodhuesi italian Pagani

Pagani prodhoi një model të ri special për një klient të saj, dhe këtë “roadster” vendosi që ta emëronte si “Huayra Dinamica Evo”.

Prodhuesi italian nuk doli me një deklaratë në lidhje me këtë veturë, por e prezantoi atë përmes kanaleve të tij në rrjetet sociale, ndaj ka shumë pak informacion në lidhje me të.

Vetura është produkt i departamentit Pagani Grandi Compplicationazioni, i cili përmbushi të gjitha dëshirat dhe kërkesat e klientit. Huayra Dinamica Evo ka një trup të lyer me ngjyrë kafe, e cila mund të tingëllojë “e mërzitshme” për një super-veturë, por detajet ngjyrë ari dhe të verdhë janë të shkëlqyera, shkruan Klix, transmeton Telegrafi.

Flamuri italian zbukuron krahët në ndarjen e përparme, ndërsa pasqyrat anësore kanë një pamje të re. Detajet me ngjyrë portokalli në mbrojtëset e rrotave të përparme lënë të kuptohet se kjo Huayra është porositur nga një klient amerikan.

Nuk ka asnjë konfirmim nga Pagani mbi atë se nëse modeli është i bazuar në veturën Huayra Roadster BC, por në fakt kjo duket të jetë një zgjedhje logjike. Vetura ka të ngjarë që të fuqizohet nga një motor 6.0-litërsh AMG V12 me dy turbo që zhvillon 802 kuaj fuqi dhe 1,050 njuton metër fuqi rrotulluese, dhe peshon gjithsej 1,250 kg.

Kjo do të thotë se është pak më e lehtë se versioni i thjeshtë Huayra Roadster. Kur Huayra Roadster BC debutoi, Pagani njoftoi se do të prodhonte vetëm 40 ekzemplarë, dhe logjika thotë se modeli unik i paraqitur në foto duhet të jetë një prej tyre.