Ballina Artikuj Hulumtim: Nafta në Kosovë po përzihet dhe po tëhollohet me materiale të...

Hulumtim: Nafta në Kosovë po përzihet dhe po tëhollohet me materiale të tjera

Mungesa e kontrollit të cilësisë së naftës në tregun kosovar ka çuar edhe në keqpërdorim të furnizuesve të këtij derivati.

Në një hulumtim të realizuar nga KIKS Kosova, nga pesë mostra të marra të naftës në pika të derivateve në Prishtinë dhe rrethinë, si dhe komuna të tjera, 40% nga to kanë dalë jashtë parametrave të cilësisë.

Në dy nga pesë mostrat, pika e ndezjes ka shkuar në 33.5 dhe 53.5. Sipas standardeve të caktuara të cilësisë së naftës, vlera normale e pikës së ndezjes duhet të jetë 55.5.

Karshi kësaj çështjeje, ka pasur edhe aktivitete që kanë bërë thirrje të kontrollohet cilësia e naftës. Muajin e kaluar, rrjeti i Organizatave jo-Qeveritare (AVONET) ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ku kanë protestuar kundër informalitetit dhe mungesës së kontrollit të cilësisë në tregun e brendshëm, veçanërisht në industrinë e naftës.

Në këtë aktivitet të AVONET ata kanë folur edhe rreth një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën ku theksohet informaliteti dhe mungesa e kontrollit të cilësisë në tregun e brendshëm e sidomos në industrinë e naftës.

“Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollimin e naftës nga kompanitë që rrisin fitimin e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur koston e mirëmbajtjes së tyre.”, kanë deklaruar nga AVONET.