Hysaj kërkon largimin nga Lazio

Elseid Hysaj duket po e luan edicionin e tij të fundit me fanellën e Lazios.

Mediumet italiane kanë raportuar të martën se Hysaj pritet të largohet nga Lazio në verë dhe tashmë ka njoftuar klubin për vendimin e tij.

Mësohet se Hysaj ka kërkuar largimin pas dorëheqjes së trajnerit Maurizio Sarri, i cili e transferoi te Lazio nga skuadra e Napolit. Me ardhjen e Igor Tudorit në krye të Lazios, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë do t’i ketë minutat e limituara dhe për këtë arsye do të largohet.

Megjithatë, Lazio po kërkon të paktën 3 milionë euro për kartonin e Hysajt, duke pasur parasysh se mbrojtësi i krahut të djathtë ka kontratë deri në vitin e ardhshëm.

30-vjeçari këtë edicion ka 22 paraqitje për Lazion në të gjitha garat.