Hysejni, i biri i Aliut: kryengritësi dhe dëshmori

Dr.Tarik Suvejdan

Thelbi i këtij artikulli është jeta dhe sakrifica e madhe e Hysejnit, birit të Aliut dhe nipit të Profetit Muhamed (a.s), i cili luftoi për të mbrojtur parimet e drejtësisë dhe këshillimit në udhëheqje (shura), kundër sundimit të padrejtë dhe trashëgimisë dinastike që u vendos nga Jezid ibn Muavia. Ai përfaqësoi ndërgjegjen e umetit që nuk pranoi padrejtësinë dhe korruptimin e qeverisjes islame.

Pas vdekjes së Muavijes, Hysejni refuzoi t’i japë besën Jezidit, sepse e konsideronte atë të padenjë për halifat dhe sepse shihte që vendimi për udhëheqësin ishte bërë në mënyrë të njëanshme, pa këshillimin e myslimanëve. Ai pranoi thirrjen e banorëve të Kufës, të cilët fillimisht i dhanë besën për mbështetje, por më pas e tradhtuan. Para se të arrinte në Kufa, Hysejni mori lajmin për vrasjen e përfaqësuesit të tij, Muslim ibn Akilit, dhe tradhtinë e njerëzve të Kufës, por megjithatë ai vazhdoi rrugën e tij, duke zgjedhur të mos dorëzohej përballë padrejtësisë.

Në Karbela, Hysejni dhe një grup i vogël ndjekësish u përballën me një ushtri shumë më të madhe të dërguar nga Ubejdullah ibn Zijadi. Hysejni ofroi disa mundësi paqësore për të shmangur luftën, por ato u refuzuan. Në përballjen që pasoi, ai dhe shokët e tij treguan qëndresë dhe heroizëm të jashtëzakonshëm, por më në fund u rrethuan dhe u vranë mizorisht. Hysejni ra dëshmor në ditën e dhjetë të Muharremit (Ashura), duke u bërë një simbol i përjetshëm i sakrificës për të vërtetën dhe drejtësinë.

Ngjarja e Karbelasë mbeti një plagë e thellë në historinë islame dhe një mësim i madh për brezat e mëvonshëm: se mbrojtja e parimeve kërkon sakrifica dhe se padrejtësia nuk duhet pranuar, edhe nëse përballë është humbja e jetës. Vdekja e Hysejnit ndezi ndjenja kundërshtimi ndaj sundimit Omejad dhe u bë shkak për një sërë revoltash që më vonë përmbysën regjimin e tyre.

Për një pasqyrë më të gjerë dhe të argumentuar, ju ftojmë të lexoni tekstin e mëposhtëm:

Hysejni është i biri i Aliut (r.a), nipi i të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe lulja e tij e dashur, biri i Fatimes së ndritur (r.a). Babai i tij ishte Aliu, i biri i Ebu Talibit Allahu, kushëriri i të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe i katërti nga halifët e drejtë. Pejgamberi (a.s) e donte shumë dhe thoshte: «O Allah, unë e dua atë, prandaj duaje edhe Ti atë!» Gjithashtu thoshte: «Hasani dhe Hysejni janë prijësit e të rinjve të banorëve të Xhenetit.»

Hysejni u ngrit në kryengritje për të mbrojtur fenë për shkak të shkeljes së parimit të shuras dhe për shkak se qeverisja e umetit u shndërrua nga udhëheqje sipas meritokracisë në dinasti. Ai u bë mësues për umetin, duke i treguar atij se si duhet të sakrifikojë për mbrojtjen e parimeve të saj.

Hysejni, i biri i Aliut, i biri i Ebu Talibit

Nuk mund të ketë njeri që e njeh Hysejnin dhe të mos e dojë; dhe nuk mund ta dojë dikush me dashuri të vërtetë, pa e njohur më parë. Prandaj, le të nisim udhëtimin për ta njohur atë…

Lindja e Husejnit, i biri i Aliut

Lejth ibn Sa’di ka thënë: “Fatimeja, vajza e të Dërguarit të Allahut (a.s), e lindi Hasanin, birin e Aliut, në muajin Ramazan të vitit të tretë pas hixhretit, dhe e lindi Husejnin në disa net të mbetura nga muaji Sha’ban të vitit të katërt pas hixhretit.”

Kur lindi Husejni, ia sollën Profetit (a.s), i cili e thirri ezanin në veshët e tij. Më pas, Profeti (a.s) therri një dash si akike për të. Aliu dëshironte ta quante “Harb” (Luftë), por Profeti (a.s) e quajti Hysejn. Nga Aliu (r.a) transmetohet: “Kur lindi Hasani, erdhi i Dërguari i Allahut (a.s) i cili tha: Më tregoni djalin tim! Si e keni quajtur? I thashë: E kam quajtur Harb. Ai tha: Jo, ai është Hasan. Kur lindi Hysejni, tha: Më tregoni djalin tim! Si e keni quajtur? I thashë: E kam quajtur Harb. Ai tha: Jo, ai është Hysejn. Kur lindi i treti, erdhi i Dërguari (a.s) dhe tha: Më tregoni djalin tim! Si e keni quajtur? I thashë: E kam quajtur Harb. Ai tha: Jo, ai është Muhsin. Më pas tha: “Unë u kam vënë atyre emrat e bijve të Harunit.”

Imran ibn Sulejmani ka thënë: “Hasani dhe Husejni janë emra prej emrave të banorëve të Xhenetit, dhe nuk kanë qenë emra të përdorur në kohën e injorancës (xhahilijetit).”

Fëmijët e Hysejnit, birit të Aliut:

Aliu i Madh: U vra së bashku me të atin në betejën e Kerbelasë. Nëna e tij ishte Lejla, vajza e Ebi Merrasë.

Ali bin Hysejni es-Sexhad (i njohur si Zejnu’l-Abidin): Nëna e tij ishte Shehrbanu, vajza e mbretit Kisra.

Abdullah er-Rridhia (foshnja e vogël): U vra foshnjë në Kerbela. Nëna e tij ishte Rababi, vajza e Imru’l-Kejsit.

Xhafer ibn Hysejni: Vdiq i vogël pa lënë pasardhës. Nëna e tij ishte Selafa el-Kudai’ja.

Sakina, vajza e Hysejnit: Nëna e saj ishte Rababi, vajza e Imru’l-Kejsit.

Fatime, vajza e Hysejnit: U martua me Abdullah ibn Hasanin, i cili u vra bashkë me të atin para se të hynin në martesë. Më pas, ajo u martua me Mus’ab bin Zubejr, guvernatorin e Irakut, i cili gjithashtu u vra pas pak kohe.

Hysejni, i biri i Aliut gjatë jetës së të Dërguarit (a.s)

Hysejni dhe vëllai i tij Hasani u rritën në Medinën e Ndriçuar. Profeti (a.s) i donte dhe i merrte me vete në xhami kur falej me njerëzit. Kur ai binte në sexhde, Hasani dhe Hysejni hipnin mbi shpinën e tij, dhe kur e përfundonte faljen, i merrte njërin në njërin prehër dhe tjetrin në tjetrin.

Profeti (a.s) i hipte ata në mushkën e tij të bardhë: njërin para tij dhe tjetrin pas tij, dhe thoshte: “O Allah, Ti e di se unë i dua ata, prandaj duaji edhe Ti ata.” Nëse dëgjonte Hysejnin duke qarë, i thoshte nënës së tij: “A nuk e di se më lëndon qara e tij?” Një ditë, Profeti (a.s) e pa Hysejnin duke luajtur me fëmijët dhe e mori atë në krahët e tij duke e përqafuar dhe puthur, pastaj tha: “Hysejni është nga unë dhe unë jam nga Hysejni. O Allah, duaje atë që e do Husejnin.”

Profeti (a.s) vdiq në vitin 11 h, kur Husejni ishte rreth gjashtë ose shtatë vjeç.

Hysejni gjatë kohës së katër halifëve të drejtë

Gjatë halifatit të Ebu Bekrit (r.a), Hysejni ishte ende i vogël. Halifi Omeri (r.a) i respektonte shumë dy nipërit, Hasanin dhe Hysejnin, duke u dhënë pjesë nga plaçka e luftës dhe duke ua përcaktuar shpërblimin e njëjtë me atë të babait të tyre, Aliut (r.a), duke i renditur ata mes luftëtarëve të Bedrit, me një shpërblim prej pesë mijë dinarësh.

Në kohën e halifit të tretë, Othmanit (r.a), Hysejni mori pjesë në betejën e Afrikës nën komandën e Abdullah ibn Ebi Serhit. Në vitin 30 h, Hasani, Hysejni dhe Ibn Abasi morën pjesë në fushatën në Tabaristan nën udhëheqjen e Seid ibn el-Asit.

Kur babai i tij, Aliu (r.a), u bë halif, Hysejni ishte mbështetës i tij në të gjitha situatat: në betejën e Xhemelit, të Siffinit dhe në luftën kundër Havarixhëve, derisa Aliu (r.a) u vra pabesisht nga Abdurrahman ibn Mulxhimi. Hysejni mori pjesë në larjen dhe përgatitjen e trupit të babait për varrim, dhe Hasani  ia fali namazin e xhenazes.

Pas kësaj, Hasani u bë kalif dhe Hysejni ishte ndihmëtar dhe mbështetës i tij. Kur Hasani vendosi të pajtohej me Muavijen ibn Ebi Sufjanin në vitin e pajtimit, disa njerëz i kërkuan Hysejnit të kundërshtonte vendimin e vëllait, por ai refuzoi duke thënë: “Ne kemi dhënë besën dhe kemi lidhur marrëveshje, nuk është e drejtë të prishim besën tonë.”

Historia e Hysejnit dhe Jezidit, birit të Muavisë

Revolta e Hysejnit, birit të Aliut, kundër Jezidit, birit të Muavisë – Allahu qoftë i kënaqur me ta dhe me prindërit e tyre – ishte një nga revoltat më të rëndësishme kundër sundimit Omejad. Hysejni përfaqësonte ndërgjegjen e umetit që kërkonte të mbante të drejtën për t’ia dhënë pushtetin atij që e meritonte, pa ia imponuar atë dikush me forcë. Profeti (a.s) na ka njoftuar se gjëja e parë që do të ndryshojë nga Islami është qeverisja, dhe gjëja e fundit që do të largohet është namazi.

Kështu, =ështja e qeverisjes kaloi nga këshillimi (shura) në caktim të njëanshëm (trashëgimi), gjë të cilën Hysejni nuk e pranoi dhe u ngrit për ta refuzuar këtë shtrembërim. Rënia e  Hysejnit si dëshmor u bë një burim i fuqishëm ndjenjash kundër Omejadëve, që çoi në një sërë revoltash, të cilat përfunduan me përmbysjen e sundimit të tyre. Ngjarja e Kerbelasë mbeti një nga fatkeqësitë më të mëdha që goditi umetin.

Marrëdhëniet midis Hysejnit dhe Muavijes

Hysejni u vendos në Medinën e Ndriçuar dhe jetoi atje pas marrëveshjes që vëllai i tij, Hasani, bëri me Muavijen në vitin e pajtimit, duke i dhënë përparësi unitetit të umetit. Sipas kushteve të kësaj marrëveshjeje, Hasani do të bëhej halif pas Muavijes, por Hasani ndërroi jetë (Allahu e mëshiroftë) para Muavijes. Kështu, Muavia mbeti kalif për rreth 20 vjet pas pajtimit.

Kur Muavia e ndjeu se i afrohej fundi i jetës, vendosi të caktojë birin e tij, Jezidin, si halif të myslimanëve. Shumica e njerëzve e pranuan këtë vendim, por disa prej figurave të mëdha e kundërshtuan, ndër ta: Hysejn ibn Aliu, Abdullah ibn Zubejri, Abdullah bin Abasi, Abdullah ibn Omeri

Muavia u përpoq që përmes guvernatorit të tij në Medinë t’i detyronte ata të jepnin besën për Jezidin, por ai vdiq pa arritur ta realizonte këtë.

Arsyet pse Husejni refuzoi të japë besën për Jezidin:

1 – Për të ruajtur parimin e shurës (këshillimit të myslimanëve për çështjen e udhëheqjes).

2 – Kundërshtimi ndaj sundimit nëpërmejt dinastisë.

3 – Mungesa e meritës dhe epërsisë së Jezidit për të qenë halif.

4 – Moszbatimi nga ana e Muavijes i marrëveshjes me Hasanin, sipas së cilës pas vdekjes së tij çështja e halifatit do të zgjidhej me këshillim mes myslimanëve.

Hysejni pas vdekjes së Muavisë dhe kthimi në Mekë

Pas vdekjes së Muavisë, halifati i kaloi djalit të tij Jezidit. Abdullah ibn Omeri dhe Abdullah ibn Abasi e pranuan besën ndaj Jezidit nga frika e përçarjes dhe trazirave. Ndërsa Abdullah ibn Zubejri nuk e pranoi besën e Jezidit dhe e shihte Hysejnin më të denjë për halif se Jezidi, por politikisht ai nuk kishte besim te banorët e Irakut, prandaj e këshilloi Hysejnin që të mos shkonte te ata, por të qëndronte në Hixhaz ose të shkonte në Jemen.

Kufa kishte qenë kryeqyteti i halifatit të Aliut, prandaj ithtarët e tij nisën t’i dërgonin letra Hysejnit duke i kërkuar që të vinte tek ata dhe se ata do ta ndihmonin. Kjo ishte një nga arsyet që e shtynë Hysejnin të nisej drejt tyre. Një arsye tjetër ishte se guvernatori i Jezidit në Medinë e kishte ngushtuar shumë çështjen e dhënies së besës për të, ndaj Hysejni dhe Ibn Zubejri u larguan nga Medina për në Mekë. Megjithatë, Hysejni nuk e shpalli revoltën e tij në Mekë, që të mos shkelej shenjtëria e saj.

Dalja e Hysejnit drejt Kufës

Kur banorët e Kufës ia shtuan letrat Hysejnit duke e ftuar të vinte, ai dërgoi kushëririn e tij, Muslim ibn Akilin, që të vërtetonte sinqeritetin e tyre. Kur Muslimi arriti në Kufa, njerëzit filluan t’i japin besën fshehtas në emër të Hysejnit; numri i atyre që i dhanë besën ishin 12 mijë luftëtarë. Ai i shkroi Hysejnit: “Pas kësaj, udhëheqësi (dërguesi) nuk gënjen popullin e vet. Të gjithë banorët e Kufës janë me ty, prandaj eja sapo ta lexosh këtë letër.”

Kur mori letrën e Muslim bin Akilit, Hysejni filloi të përgatitej për të udhëtuar drejt Kufës. Atëherë nisën t’i vinin njëra pas tjetrës këshilla që e paralajmëronin për tradhtinë e banorëve të Irakut, ashtu siç e kishin tradhtuar edhe babanë e tij më parë. I pari që e këshilloi ishte vëllai i tij Muhamed ibn Hanefija, pastaj Abdullah ibn Zubejri, Abdullah ibn Omeri, Abdullah ibn Xhaferi dhe më pas Abdullah ibn Abbasi, i cili i tha: “O kushëri im, po e përmbaj veten, por nuk mund të duroj më. Unë kam frikë se në këtë rrugë që ke marrë do të humbësh jetën. Banorët e Irakut janë njerëz të pabesë, mos u mashtro prej tyre. Nëse ata e largojnë guvernatorin e tyre, atëherë mund të shkosh. Në të kundërt, shko në Jemen, sepse atje ka kështjella dhe vende të fortifikuara, dhe aty ka ithtarë e ndihmues të babait tënd.” Hysejni tha: “O kushëri, pasha Allahun, unë e di që ti je këshillues i sinqertë dhe i dashur, por unë e kam vendosur të nisem.” Ibn Abasi i tha: “Nëse me patjetër do të nisesh, atëherë mos i merr me vete fëmijët dhe gratë, sepse, pasha Allahun, kam frikë se do të vritesh siç u vra Othmani, e gratë dhe fëmijët e tij ishin dëshmitarë të  vrasjes së tij.”

Këto këshilla tregonin qartë njohjen që ata kishin për pabesinë e banorëve të Kufës dhe se ata nuk ishin të denjë për besim. Po ashtu, tregonin vetëdijen se pozita e lartë e Hysejnit nuk do ta pengonte vrasjen e tij, ashtu siç nuk e kishte penguar vrasjen e babait të tij Aliut dhe më parë të Othmanit. Sipas fjalëve të tyre, duket sikur të gjithë  prisnin se Hysejni do të binte dëshmor, ndaj fjalët e tyre ishin fjalë lamtumireje dhe trishtimi.

Por Hysejni, megjithë të gjitha këto, këmbënguli në qëndrimin e tij dhe vendosi të sakrifikonte veten për ta mbrojtur parimin madhështor të shurës (këshillimit).

Vrasja e Hysejn ibn Aliut

Përballja e Muslim ibn Akilit me Ubejdullah ibn Zijadin

Jezid ibn Muavia ndjeu rrezikun e situatës, ndaj bashkoi qeverisjen e Kufës me atë të Basrës dhe e caktoi si guvernator Ubejdullah ibn Zijadin, një njeri i fuqishëm. Ibn Zijadi filloi të mbledhte informacione në Kufë dhe mësoi se Muslim ibn Akili po qëndronte në shtëpinë e një prej fisnikëve të Kufës, Hanij ibn Urve.

Ai e arrestoi Hanij-in, e torturoi dhe e rrahu. Lajmi i arriti Muslim ibn Akilit, i cili nxitoi dhe doli me katër mijë luftëtarë, duke rrethuar pallatin e Ubejdullah ibn Zijadit.

Në atë kohë, te Ibn Zijadi ndodheshin fisnikët e Kufës. Ai i urdhëroi ata që të largonin njerëzit nga Muslimi, duke u premtuar shpërblime dhe duke i frikësuar me ushtrinë e Shamit. Prijësit filluan t’i largonin njerëzit nga Muslimi dhe para se të perëndonte dielli, Muslim ibn Akili mbeti i vetëm, duke ecur rrugëve të Kufës pa ditur ku të shkonte. Ai trokiti në derën e një gruaje, kërkoi ujë dhe ajo ia dha. Kur e dëgjoi hallin e tij, u prek nga gjendja e tij.

Kur djali i saj erdhi, shkoi dhe e njoftoi Muhamed ibn Esh’athin, i cili shkoi te Muslim ibn Akili dhe i ofroi siguri. Muslimi i kërkoi që t’i dërgonte një letër Hysejnit ku i thoshte: “Kthehu me familjen tënde dhe mos u mashtro nga banorët e Kufës, sepse ata më kanë mashtruar mua dhe ty, dhe nuk ka siguri në një njeri që gënjen.”

Muhamed Ibn Esh’athi shkoi te Ubejdullah ibn Zijadi dhe kërkoi garanci për Muslimin, por Ibn Zijadi urdhëroi policinë që ta arrestonin dhe ta vrisnin. Më pas vrau edhe Hanij ibn Urven dhe trupat e tyre i vari në tregun e Kufës.

Udhëtimi drejt Karbelasë

Hysejni u nis me familjen e tij drejt Kufës pa e ditur se çfarë kishte ndodhur me Muslim ibn Akilin. Gjatë rrugës, ai takoi poetin Ferazdak dhe e pyeti për gjendjen e banorëve të Kufës. Ferazdaku i tha: “Zemrat e tyre janë me ty, por shpatat e tyre janë kundër teje.”

Lajmi për udhëtimin e tij arriti te Jezid ibn Muavia, i cili i shkroi Ubejdullah ibn Zijadit duke e paralajmëruar: “Më ka ardhur lajmi se Hysejni është nisur drejt Kufës. Kjo është sprova e kohës tënde, e vendit tënd dhe e qeverisë sate. Tani është momenti që të tregosh nëse je burrë i lirë apo skllav i nënshtruar.”

Kur Hysejni iu afrua Kufës, dërgoi disa lajmëtarë te Muslim ibn Akili, por ata u kapën dhe u vranë nga ibn Zijadi. Hysejni ende nuk e dinte këtë.

Kur më në fund i arriti lajmi për vrasjen e Muslim ibn Akilit, Hanij ibn Urves dhe për tradhtinë e banorëve të Kufës, ai u mbajti një fjalim ndjekësve të tij: “Na ka arritur një lajm i rëndë: Muslim ibn Akili, Hanij ibn Urve dhe Abdullah ibn Jak’tar janë vrarë, dhe ithtarët tanë na kanë tradhtuar. Kushdo që dëshiron të largohet, le të largohet pa ndonjë barrë mbi ndërgjegjen e tij.”

Njerëzit filluan të shpërndaheshin dhe me të mbetën vetëm shokët që kishin ardhur nga Medina dhe disa veta. Disa nga shokët e tij i thanë: “Të lutemi për hir të Allahut, kthehu, sepse në Kufë nuk ke përkrahës dhe as mbështetje, madje kemi frikë se ata do të ngrihen kundër teje.”

Por familjarët e tij nga fisi i Benu Akilit thanë: “Pasha Allahun, nuk do të largohemi derisa ta marrim hakun tonë ose të përjetojmë atë që përjetoi Muslimi.” Hysejni tha: “Nuk ka kuptim jeta pas këtyre burrave.”

Takimi me forcat pararojë të Kufës

Hysejni u takua me forcat pararojë të ushtrisë së Kufës të udhëhequra nga Hurr ibn Jezid er-Rijahi, i cili kishte një mijë kalorës. Hurr ishte një burrë i mençur dhe i tha Hysejnit: “Nuk jam urdhëruar të të luftoj, por vetëm të mos të lejoj të largohesh derisa të të çoj në Kufa. Nëse nuk pranon, atëherë merr një rrugë që nuk të çon në Kufa dhe as të kthen në Medinë. Kështu qëndrojmë në mes dhe secili t’i shkruajë udhëheqësve të tij. Ndoshta Allahu sjell një zgjidhje që të më shpëtojë nga kjo situatë.”

Hysejni pranoi këtë propozim dhe eci së bashku me të. Kur vinte koha e faljes, ushtria e Hurrit rreshtohej dhe Hyejni priu si imam në namaz.

Kur arritën pranë Kerbelasë, mbërritën trupat kryesore të ushtrisë së Kufës, të udhëhequra nga Omer ibn Sa’di, me katër mijë ushtarë. Ai i tha Hysejnit se ishte urdhëruar ta çonte në Kufa te Ubejdullah ibn Zijadi, por Hysejni refuzoi dhe i ofroi tri alternativa: Më lini të kthehem në Medinë, më lini të shkoj në Sham te Jezid ibn Muavia, më lini të shkoj në ndonjë kufi të mbroj territoret islame.

Hysejni bie dëshmor

Omer ibn Sa’di i dërgoi këto propozime te Ubejdullah ibn Zijadit, por ai refuzoi dhe kërkoi që Hysejni t’i dorëzohej plotësisht. Filluan përplasjet mes dy palëve dhe shokët e Hysejnit treguan heroizëm dhe sakrificë të jashtëzakonshme. Hysejni mbeti i rrethuar, askush nuk guxonte ta vriste, sepse prisnin që ai të dorëzohej, por ai qëndroi i palëkundur në të drejtën e tij. Më në fund, i pashpirti Shimer ibn Dhi’l-Xhevshen mori guximin dhe e vrau Hysejnin, duke ia çuar kokën e tij Ubejdullah ibn Zijadit.

Hysejni u vra në ditën e dhjetë të Muharremit, në vitin 61 h, në Kerbela të Irakut. Bashkë me të u vranë 72 burra nga familja dhe shokët e tij, ndërsa nga ushtria e Kufës humbën jetën 88 vetë. Hysejni dhe shokët e tij na mësuan se pa sakrifica nuk ringjallet e drejta dhe nuk ngrihet një popull.

Autor: Tarik Suejdani

Përktheu: Elton Harxhi