I akuzuari për vjedhjen e 2.1 mln € pranon se i mori mjetet, por nuk ndihet fajtor

Biznesmeni Kadri Shala, i akuzuar për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ka pranuar se mjetet nga ky institucion janë derdhur në llogarinë e tij, por nuk ka pranuar fajësinë.

Në seancën e sotme, ai tha se “pafajësia ime do të sqarohet në seancat e tjera”.

“Z. gjyqtar është e vërtetë që në llogarinë time kanë dalë 2.1 milionë euro nga Thesari.

Për mbi 1 milion e 400 mijë kanë kaluar te kompanitë, pagesa të rregullta, gjë që vërtetohet nga ATK-ja. Po ashtu është e vërtetë që kam bërë pagesë 400 mijë euro për një kompani në Turqi. Për disa aparatura”, ka thënë Shala.

Më pas shtoi: “Unë z. gjykatës për asnjërën pikë nuk e ndiej veten fajtor”.

Shala është një prej të akuzuarve për vjedhjen e 2.1 milionë eurove, rasti i ndodhur një vit e gjysmë më parë.

Për këtë rast i akuzuar është edhe Labinot Gruda.

Arben Hoti, kryetar i trupit gjykues ka thënë se pas deklarimit të pandehurit Kadri Shala, gjykata ka marrë aktvendim për refuzimin e pranimit të pafajësisë për Labinot Grudën për pikën “shpëlarje e parasë”, ku akuzohet për bashkëkryerje me Shalën.

Kjo është kundërshtuar nga avokati mbrojtës Ramë Gashi.

“Nuk po shoh ndonjë arsye për refuzim të pranimit të fajësisë për klientin tim. A mund të na sqaroni ku po bazoheni? Nuk ka ndonjë pengesë ligjore”, tha ai.

Me këtë u pajtua edhe prokurori Valdet Gashi.

“Pajtohem me avokatin Ramë Gashi. Nuk ka asnjë pengesë ligjore për pranim të fajësisë për njërin të akuzuar”, tha Gashi.

Ndërkohë kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se refuzimi i pranimit të fajësisë për njërën pikë po bëhet për shkak të parimit të prejudikimit të fajësisë.

Në këtë pikë, Hoti u kundërshtua sërish nga avokati i Grudës.

Seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të Prokurorisë Speciale.