Ambasadori i SHBA-së në OKB-së, Mike Waltz, ka deklaruar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po i jep “pak hapësirë” përpjekjeve diplomatike me Iranin, ndërsa sulmet në rajon mbetën të ndaluara për natën e dytë radhazi, transmeton Anadolu.
“Presidenti po i mban të gjitha opsionet në tryezë”, tha Waltz për NBC News.
Ai sqaroi se teksa negociatat po zhvillohen në “çdo nivel”, udhëheqja iraniane duhet ta marrë shumë seriozisht presidentin amerikan. Kur u pyet nëse Trumpi ka vendosur aktualisht të mos përshkallëzojë situatën, Waltz tha: “Nuk do të shkoja aspak aq larg”.
Waltz deklaroi se “ushtria amerikane është e gatshme dhe e armatosur”, duke shtuar se në rajon janë dislokuar mjete shtesë për të goditur ata që “sulmuan në mënyrë të paligjshme anijet civile”.
Sipas monitorimit të zhvillimeve nga Anadolu, gjatë natës deri të dielën nuk u regjistruan shpërthime apo sulme ajrore amerikane në Iran, ndërsa edhe nata paraprake kaloi pa sulme të njoftuara.
Në qershor, Washingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që përfshinte një armëpushim pas ndërmjetësimit të Katarit dhe Pakistanit, duke i hapur rrugën negociatave për një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund konfliktit.





