I guximshmi!

Latif Mustafa

Guximtari i fuqishëm edhe pse rrezikohet nga dehja shpirtërore, kllapia e brutalitetit të botës moderne dhe indiferenca, ai megjithatë mbetet i esëllt. Çfarë është një guximtar i esëllt? Shprehur përmes një gjuhe simbolike, guximtari është si uji që me lehtësi dhe butësi arrin të penetrojë brenda çdo mali shkëmbor. Nuk zhgënjehet nga mosdukja e rezultatit sepse është i bindur se koha punon në favor të tij dhe në favor të atillëve që janë sikur ai. Ata, nuk jetojnë në kllapi dhe të prangosur nga dosido “përpjekjesh”. Nuk ndjekim kauzat e huaja

Nga Latif MUSTAFA

Midis shokësh, një filozofi, politologu dhe regjisori, në çarshinë e Shkupit po bisedonim në lidhje me atë se kush kë krijon, shoqëria individin apo individi shoqërinë. Pse pak njerëz kanë sukses? Kush është i forte e kush i fuqishëm? Normalisht, këto procese dhe fenomene komplekse sociale nuk mund të reduktohen një sistem binar të konkurrimit dhe prioritetit kohor, por që në kohë dhe periudha historike të caktuara njëra me siguri ka peshë, ka forcë dhe fuqi në tjetrën. Në këtë kontekst, në lidhje me temën e formësimit, u përmendën tre elemente dhe faktorë të cilat nga perspektiva e shpjegimit të shkencës së fizikës janë elementë krucial në definimin e forcës dhe fuqisë, gjegjësisht, pesha, koha dhe lëvizja. Forca është momenti kur kemi shpërfaqje të lëvizjes brenda një intervali kohor dhe si e tillë forca mbetet si fenomen i rëndësishëm fizik në prani të rezistencës kurse fuqia nënkupton punën e bërë, gjegjësisht shpejtësinë, brenda një kohe të caktuar.

Pa u zhytër në shpjegime të mërzitshme fizike, forcë është multiplifikimi i masës dhe nxitimit (F= m x a) kurse fuqia është puna e ndarë në kohë (P=W/t). Kurse puna është shumëzimi i forcës dhe zhvendosjes së një trupi (W=F x s). Siç mund ta shohim se forca, fuqia dhe puna janë elemente kyçe për të llogaritur jetëgjatësinë e lëvizjes në kohë dhe distancën e shtrirjes së kësaj lëvizjeje në hapësirë. Në këtë kontekst se kush është i fort dhe kush është i fuqishëm e përcakton efektiviteti i në kohë. Në një gjuhë më simbolike dhe të reduktuar nga formulat fizike i fort është njeriu që lëviz gjërat, i fuqishëm është njeriu që lëviz gjërat në plan afatgjatë kurse i Gjithëfuqishëm është Qenia që ka forcën për të krijuar, lëvizur dhe shndërruar gjërat jashtë çdo hapësire dhe kohe. Ky është cilësori omnipotent e që njihet edhe si primum movens ose ho ou kinoúmenon kineî – lëvizësi i palëvizshëm në kuptimin e Aristotelit. Qenia që nuk është e lëvizshme por i fut në lëvizje të gjitha qeniet e tjera; Qenia e gjithëfuqishme që u jep fuqi të gjitha të tjerëve, varësisht nga vullneti i gjithëfuqishmit dhe vullnetit të aderuesit dhe kërkuesit të fuqisë. Dhe në raport me të gjithëfuqishmit, përpos forcës, fuqisë dhe punës është edhe një element tjetër shumë me rëndësi, dhe ky element kërkohet nga aderuesi apo kërkuesi i forcës dhe fuqisë dhe ai është guximi. I gjithëfuqishmi i jep forcë dhe fuqi vetëm të guximshmit.

Guximi është karakteristikë e një vullneti të edukuar me ambicie të larta. Guximi është vullneti i vetëpërceptuar si i lirë nga subjekti në të cilin ndodhet ky vullnet. Guximi është vizion, një pamje, mozaik qoftë i zbehtë apo i kristalizuar drejt një pikë të papërcaktuar në kohë dhe hapësirë ku ky subjekt dëshiron të arrijë, ka për synim dhe qëllim. Ky pikësynim, herë shpjegohet si ideal, e herë si utopik. Shpesh edhe si i pamundshëm. Pamundshmëria e tij zakonisht është ndërsim dhe cytje e atyre që nuk kanë vullnet të lirë dhe guxim për të synuar, shpresuar dhe guxuar kaq shumë. Guximi është ndjesi maturie, diçka midis frikës dhe trimërisë çmendurake, do të thoshte Aristoteli. Guximi është subjekti me mendje të shprangosur nga kushtet, rrethanat përreth tij, qofshin ato materiale, fenomenologjike dhe gnoseologjike. Guximi është karakteristikë e njerëzve të fuqishëm, e atyre që gjejnë prehjen dhe motivin për të bërë punë në afate të papërcaktuara kohore. Koha tek ata, ekziston vetëm si koncept afatizimi i maksimalizimit të produktit final kurse qenia e tyre jeton në pakohësi.

Pakohësia e tyre është rezultat i konceptimit të raportit të jetës dhe vdekjes. Jeta dhe vdekja janë dy gjëra më normalet që mund t’i kenë ndodhur njeriut ndonjëherë. Ata e konsiderojnë veten të vdekur dhe veç si të tillë mund të jetojnë dhe shijojnë ngjyrat e jetës. Përkohshmëria është armiku i tyre kurse rrethi vicioz është burgu prej të cilit këmbëngulsisht përpiqen t’i shpëtojnë. Por të guximshmit edhe pse janë shumë njerëz të fuqishëm, herë pas here, kur arrijnë në kulmet e dëshpërimit dhe jeta t’iu duket si një agoni e gjatë, në formë të një lutjeje të heshtur e ftojnë Omnipotent-in t’u jap forcë. Në këto situata ata rrezikojnë të rrëshqasin në zgrips të pafundësisë historike dhe dhembshurisë si shtytje drejt zhdukjes.

Megjithatë, guximtari i fuqishëm edhe pse rrezikohet nga dehja shpirtërore, kllapia e brutalitetit të botës moderne dhe indiferenca, ai megjithatë mbetet i esëllt. Çfarë është një guximtar i esëllt? Shprehur përmes një gjuhe simbolike, guximtari është si uji që me lehtësi dhe butësi arrin të penetrojë brenda çdo mali shkëmbor. Nuk zhgënjehet nga mosdukja e rezultatit sepse është i bindur se koha punon në favor të tij dhe në favor të atillëve që janë sikur ai. Ata, nuk jetojnë në kllapi dhe të prangosur nga dosido “përpjekjesh”. Nuk ndjekim kauzat e huaja. Synojnë më të lartën, njerëzoren dhe të njerëzishmen. Bëjnë punë sizifiane pa pritje. Veprojnë pa shpagim, pa kompensim. Historia e ardhmërisë është kompensimi më i mire që mund t’i bëhet. Të vërtetat e përkohshme janë pengesa e tyre kryesore, por parasysh kanë gjithmonë të përjetshmen, të pashkatërrueshmen, të pafundmen. Ata janë të vetëdijshëm se historia dhe ardhmëria I përket veç të guximshmëve. Humbësin nuk e do as Zoti. Ideali i tyre është i tillë veç nëse është universal dhe i vlefshëm për çdo qenie më vete dhe për tërë njerëzimin bashkë. Nuk vdesin për të, jetojnë për ta jetësuar atë. Nëse vdesin atëherë vdekja e tyre është protestë, thirrje dhe kushtrim. /koha.mk