I nxehti ekstrem do ta detyrojë zhvendosjen e 600 milionë njerëzve

Deri në vitin 2100, i nxehti ekstrem do t’i bëjë pjesë të Azisë dhe Afrikës të pabanueshme për 600 milionë njerëz, ka thënë OKB-ja dhe Kryqi i Kuq.

Shkalla e vdekshmërisë nga i nxehti ekstrem përllogaritet të jetë “jashtëzakonisht e lartë” krahasuar me të gjitha llojet e kancereve dhe sëmundjeve infektive, sipas një raporti të tyre, shkroi Washington Post.

Valët e të nxehtit këtë vit në perëndim të SHBA-së kanë shënuar qindra ditë rekord për temperatura të larta dhe javë të thata.

Valët e të nxehtit “do të bëhen më vdekjeprurëse me çdo rritje të mëtejshme të ndryshimit klimatik. Shpresojmë se ky raport do të shërbejë jo vetëm si thirrje zgjimi, por edhe si një udhërrëfyes”, thuhet në raport.

Në një skenar të zymtë qendrat urbane me popullsi të dendur në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut do të vuajnë nga ngjarje të nxehtësisë “të përsëritura kërcënuese për jetën” që sjellin temperatura përtej shkallës ku njeriu mund të mbijetojë.

Kjo do të ndikonte te 600 milionë njerëz në vende si India, Indonezia, Sudani, Kuvajti. Shumë nga këto rajone tashmë po përjetojnë të nxehtin.

Deri në fund të shekullit, 1/3 e popullatës së botës mund të jetë duke jetuar në zona me temperatura mesatare mbi 29 gradë celsius.

I nxehti ekstrem po ashtu do t’i bëjë pjesë të SHBA-së, si Georgian, Alabaman, Louisiana dhe Kaliforninë, më pak të jetueshme për njerëzit deri në vitin 2070, thuhet në raport.

Ngjarje më të shpeshta dhe më të rënda të nxehtësisë do të vrasin edhe kafshë dhe do të shkatërrojnë mjedise. Furnizimi me ushqim do të ndërpritet, me ngjarjet ekstreme të nxehtësisë që mund të kontribuojnë në paqëndrueshmërinë e çmimeve për kulturat kryesore si gruri.

Sipas raportit, njerëzit më të cenueshëm dhe më të margjinalizuar, si punëtorët e bujqësisë, migrantët, të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijën me gji, janë në rrezik më të lartë shëndetësor nga i nxehti. /koha