Tensionet me Iranin dhe debati mbi aftësinë e presidentit për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë
Ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Brennan, i është bashkuar thirrjeve në rritje për largimin e presidentit nga detyra, duke argumentuar se amendamenti i 25-të i Kushtetutës amerikane, që trajton shkarkimin e detyruar nga posti është “shkruar duke pasur në mendje Donald Trumpin”.
Brennan, i cili drejtoi agjencinë gjatë presidencës së Barack Obamës, deklaroi për MS Noë se komentet e fundit të Trump për shkatërrimin e civilizimit iranian dhe rreziku që ai paraqet për shumë jetë njerëzish justifikojnë largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë.
Duke reflektuar mbi natyrën e paprecedentë të kësaj situate, The Guardian vë në dukje se “retorika e Brennan shënon një thyerje dramatike të normave të inteligjencës, ku ish-zyrtarët rrallë përdorin gjuhë kaq të ashpër ndaj një presidenti në detyrë”.
“Ky person është qartësisht i paqëndrueshëm mendërisht. Mendoj se amendamenti i 25-të është shkruar duke pasur Donald Trumpin në mendje”- tha shefi i CIA-s. Ai shtoi se Trump përbën një rrezik të madh si komandant i përgjithshëm, duke pasur në dispozicion arsenal bërthamor.
Sipas një analize nga The Guardian, ky tension buron nga shqetësimi i thellë i komunitetit të sigurisë se “impulset e presidentit po anashkalojnë proceset e verifikimit ushtarak”.
Komentet e Brennan e vendosin atë në qendër të debatit lidhur me kërcënimet e Trump për të shkaktuar shkatërrim masiv në Iran. Më 7 prill, presidenti paralajmëroi se “i gjithë civilizimi i Iranit do të vdesë sonte” nëse nuk përmbushen ultimatumet e tij.
Ndërsa Trump ka ashpërsuar retorikën, më shumë se 70 demokratë në Kongres kanë kërkuar aktivizimin e amendamentit të 25-të, i cili lejon zëvendëspresidentin dhe kabinetin të largojnë presidentin nëse ai është “i paaftë”.
Megjithatë, gjasat mbeten të pakta për shkak të mbështetjes së fortë nga J.D.Vance dhe kabineti. Siç raporton The Guardian, besnikëria e palëkundur e kabinetit aktual shërben si një mburojë kushtetuese, duke e bërë aktivizimin e këtij amendamenti pothuajse të pamundur në aspektin politik.
Gjithsesi, deklaratat e Brennan janë rëndësishme pasi ai vetë është nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë. Nën presionin e Shtëpisë së Bardhë, departamenti vendosi në hetim Brennan por edhe ish-drejtorin e FBI-së, James Comey.
Ndërsa Comey u akuzua për gënjeshtra ndaj Kongresit (çështje që u hodh poshtë), hetimi ndaj Brennan vazhdon. Në mars, aleati i Trump, Jim Jordan, konfirmoi se hetimi “po intensifikohet”. /tesheshi




