I shihni gjerat sic jane, jo sic ua prezantojne

Shpesh herë, njeriu bie pre e mashtrimeve dhe kurtheve të ngritura nga dikush tjetër. Kjo ndodh për shkak të tundimit dhe joshjes së madhe, e shoqëruar me shantazh për pasoja katastrofike nëse ndodh e kundërta. E gjitha kjo, mbështetet në një makineri të plotë e cila e mbështet mashtrimin dhe e reklamon atë.

Thuhet se një herë e një kohë, jetonte një mbret i fiksuar pas rrobave, për të cilat harxhonte shuma të konsiderueshme parash. Rrobat dhe veshjet kryesonin listën e prioriteteve të tij. Asgjë tjetër nuk ishte më e rëndësishme në mbretërinë e tij.

Një ditë, tek mbreti u paraqitën dy persona, të cilët pretendonin se ishin stilistë dhe rrobaqepës me nam. Ata i thanë mbretit se do i stilonin dhe qepnin një veshje që as nuk ishte parë dhe as nuk ishte dëgjuar, një veshje dhe rroba të cilat mund ti dallonin vetëm njerëzit e zgjuar dhe të mençur, rroba të cilat i verbonin trutharët dhe budallenjtë, rroba që vetëm sëra e lartë dhe ata që e meritonin postin që mbanin i dallonin!!!

Pasi u mendua gjatë, mbreti u tha:”Rroba të tilla qenkan magjike dhe të mrekullueshme, pa fijen e dyshimit. Nëse kam rroba të tilla, krejt kollaj unë mund të dalloj edhe inteligjencën dhe aftësitë e njerëzve që më rrethojnë. Kur ti shtie në dorë këto rroba, do e kem të qartë kush është i mençur e kush trutharë. Asokohe do të mund ti zgjedh njerëzit e zotë e të aftë për postet administrative me të larta, njerëz që përkojnë me një mbret madhështor si puna ime.”

Që atë çast, urdhëroi që dy burrat t’ia nisnin punës pa vonesën më të vogël. Atyre u premtoi gjithçka që u nevojitej, sado e shtrenjtë të ishte, për stolisjen, qepjen dhe qëndisjen e këtyre rrobave të çuditshme.

Të dy mashtruesit u vendosën në një objekt në një vend të qetë, paksa larg nga zhurma e qytetit, me qëllim që të punonin pa u shqetësuar nga askush. Atyre u lipsej një vend sa më frymëzues, në pyll pranë një liqeni, të rrethuar me lule nga të katër anët…

Të dy, ia nisën punës iluzionare. Gjithçka që bënin, ishte zhurma e një makine qepëse, e cila nuk kishte as gjilpërë as pe, e jo më mëndafshra e basma. Nga ana tjetër, kushedi sa metra mëndafsh, penj ari, gurë të çmuar etj… iu dorëzuan dy stilistëve mashtrues, të cilët i fshihnin në një vend që nuk e dinte askush tjetër përveç tyre.

Lajmi për rrobat e çuditshme që po priteshin për mbretin mori dhenë. Tashmë jo vetëm mbreti dhe oborrtarët e tij që prisnin me padurim, por edhe popullata e gjerë mezi priste ditën që do e shihnin mbretin me ato rroba, e për rrjedhojë, të kuptonin kush ishte i mençuri e kush budallai, kush i kishte merituar ato poste që mbante, e kush kishte qenë thjesht një parazit.

Pas disa ditësh nga fillimi i punës, mbreti dërgoi një nga njerëzit e tij që të hetojë punimet e rrobave se deri ku kishin mbërritur, sa kohë u duhej, a ishin rrobat në atë nivel që pretendohej dhe ti nxiste që të punojnë më shpejt, por dhe me cilësi të lartë. Ai zgjodhi njërin nga njerëzit e tij më të zgjuar dhe të mençur të mbretërisë. E ku kishte më të zgjuar dhe të mençur se veziri i tij, ai plak i urtë dhe i ditur, ai që kishte një jetë të tërë përvojë!
Veziri mbërriti tek objekti ku punonin dy mashtruesit, të cilët thjesht sa lëviznin makinat qepëse. Me vete, veziri mendoi:”E çuditshme! Çfarë mendojnë se po bëjnë këta dy të mjerë? Këta as penj dhe gjilpëra nuk paskan, jo më mëndafshra e copëra të tjera!”
Por, pa hapur akoma fjalë, në mendje iu kujtua diçka: Rrobat e reja të mbretit, nuk i sheh dot veçse një i mençur dhe i zgjuar, vetëm ata që e meritojnë postin që mbajnë në pallatin mbretëror. Mos nuk jam unë aq i zgjuar dhe i mençur, ngaqë nuk po më shohin sytë asgjë? Jo jo, më mirë nuk po flas.”

Duke ndjerë se çfarë mendon veziri, dy mashtruesit e pyetën:”Pa hë, cili është mendimi juaj lidhur me rrobat madhështore të lartmadhërisë tonë? Brenda disa ditëve, rrobat mbretërore do të jenë gati. A të pëlqen kombinimi i ngjyrave dhe qëndisjet?”
Aty për aty, veziri u përgjigj:”E çfarë të them para kësaj mrekullie! Është një punë vërtet madhështore! Lloji i mëndafshit, ngjyrat, qëndisjet, stolitë e xhevahiret. Puna juaj qenka vërtet për tu lavdëruar. Do të shkoj ti tregoj menjëherë mbretit që të gëzohet. Hajt punë të mbarë!” dhe u largua.

Dy mashtruesit kërkuan më shumë mëndafsh dhe penj ari që ta përfundojnë punën e nisur. Menjëherë mbreti ua plotësoi kërkesat.

Pas disa ditësh, mbreti dërgoi kryekomandandin e tij që të hetojë punën e dy stolistëve. E përse jo? Ai ishte njeriu më i rëndëdsishëm i mbretërisë. Tek ai varej forca ushtarake dhe siguria e vendit. Ai ishte burri i dytë pas vezirit për nga rëndësia. Nëse nuk është i mençdur dhe i zgjuar ai, kush do të jetë atëherë? Kjo duhej vërtetuar sa më shpejt.
Vajti kryekomandanti i ushtrisë dhe u zhvillua e njëjta bisedë dhe të njëjtat fjalë si në rastin e vezirit.

“Çfarë mendimi keni për rrobat që po përgatisim për lartmadhërinë e tij? Si u duken?” e pyetën dy mashtruesit.
Ai u tha:”Nuk kam parë rroba më të bukura dhe më madhështore! Do të shkoj me vrap që ti tregoj mbretit se çfarë surprize madhështore e pret.”

E gjithë mbretëria gëlonte nga bisedat e njerëzve rreth këtyre rrobave çudibërëse, falë të cilave, mbreti do të zbulonte të mençurin nga budallai, të aftin nga i paafti, atë që e meriton postin nga ai që nuk e meriton. E gjithë administrata do të pastrohej nga parazitët, të cilët do të zëvendësoheshin nga njerëzit më të aftë.

Çasti i dorëzimit të rrobave erdhi. Dy mashtruesit dhanë haberin se rrobat ishin gati tashmë. Mbreti kishte bërë gati një eskortë të madhe, e cila do e shëtiste në të gjithë qytetin, me qëllim që njerëzit ta shihnin të veshur si asnjëherë mbretin e tyre.
Dy mashtruesit hynë në sallë duke mbajtur rrobat çudibërëse dhe shtireshin sikur po sjellin rrobat e reja, po po, ato magjiket dhe çudibërëset, ato që shiheshin vetëm nga mendjendriturit dhe të mençurit. Oborrtarët i kishin hapur sytë katër, pasi nuk shihnin rroba askund.

Njerëzit që ishin aty, që të tregojnë se janë të mençur dhe mendjendritur, filluan ti ngrenë në qiell rrobat e reja.
“O Zot çfarë rrobash lartmadhëri! Do të shkëlqeni me këto rroba dhe do të dukeni plot nur!”
Mbreti hapi sytë nga dy “stilistët” por nuk po shihte asgjë në duart e tyre. Megjithatë, e mbajti veten dhe mendoi:”Jo për Zotin, s’kam për tu bërë unë truthari i mbretërisë, ndërkohë që të gjithë janë mendjendritur. Nuk do të bëhem qesharak në sytë e të gjithëve.” Mandej qeshi me të madhe dhe me një zë të gëzuar tha:”Shumë bukur! Rrobë dhe veshje madhështore që i shkon vetëm një mbreti si unë. U lumshin duart zotërinj! U lumshin duart, të cilat i paski flori. Ju meritoni dekoratat më të larta të mbretërisë. Pa hajde dhe mi vishni tani rrobat, që të dal para popullit tim i cili më pret jashtë!”
Dy mashtruesit e ndihmuan që mbreti të veshë rrobat iluzionare, e mandej të hipë në kalin e tij dhe të dalë para gjithë njerëzve vetëm me të brendshme!!!

Eskorta mbretërore përshkoi gjithë qytetin, ndërkohë që gjithë njerëzve u ishin errësuar mendjet. Të gjithë brohorisnin të mrekulluar! Askush nuk guxoi të thotë se mbreti duket si në pikë të hallit, se ka dalë vetëm me të brendshme dhe se nuk ka asnjë rrobë mbi trup. E kujt ia mbante që të damkosë veten si injorant, trutharë dhe budalla. Kush ishte ai që do të pranonte të heqë dorë nga posti! Nëse të gjithë thonë se mbreti ka veshur rroba të bukura, edhe pse është vetëm me të brendshme, edhe ti ashtu duhet të thuash.

Ishte një fëmijë i vogël ai që i solli të gjithë në vete. Me ta parë mbretin në pikë të hallit, ai ia dha një të qeshure të pafajshme dhe bërtiti:”Iiii mbreti paska dalë lakuriq!”

Këtu, të gjithë njerëzit reflektuan dhe kuptuan se e gjithë ajo reklamë dhe propagandë për rrobat magjike të mbretit, ua kishte mpirë trurin. Ata kuptuan se frika se mos injoranca dhe padituria u ngjitej si me mastiç, i kishte bërë pjesëmarrës të një mashtrimi të madh, të cilit i kishin kënduar këngë, i kishin brohoritur dhe duartrokitur.

Asokohe, mashtrimi dhe miti i ngritur nga dy mashtruesit, u thye nga një vogëlush i pafajshëm. Një fëmijë i vogël, vendosi që ti shohë gjërat ashtu siç janë, të zhveshura nga mashtrimi dhe falsisiteti.

Po sot, a mundemi ne që ti shohim gjërat ashtu siç janë, lakuriqe?

Nga: Elmaz Fida