Ideologjia komuniste në librat shkollore në Kosovë më 1946

Nuridin Ahmeti

Kur flasim për vitet e para të pasluftës së Dytë Botërore, siç edhe dihet, marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Jugosllavinë e atëhershme ishin shumë miqësore, e rrjedhimisht, ato politika të hartuara nga Shqipëria e asaj kohe në fushën e arsimit etj., do të reflektojnë edhe në Kosovën e atëhershme.

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Në Tiranë, në vitin 2018, filloi së botuari seria e librave me dokumente të titulluara “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”. Deri me tani, nga kjo nismë janë botuar katër vëllime nën përgatitjen e studiuesve: Beqir Meta, Afrim Krasniqi dhe Hasan Bello. Dokumentet e botuara në këto vëllime, deri me tani, përfshijnë periudhën nga viti 1945 deri në vitin 1984. Sipas përgatitësve, kjo kolanë do të vazhdojë edhe me botimin e vëllimeve të tjera. Në të gjitha këto vëllime, deri me tani janë botuar mbi 400 dokumente, të cilat flasin për mënyrën siç e quajnë përgatitësit të indoktrinimit komunist përmes letërsisë dhe artit në Shqipëri. Dokumentet janë të përpiluara nga organet zyrtare të kohës në Shqipëri. Sa i përket kësaj ndërmarrjeje, në këtë trajtim nuk dëshiroj të flas më shumë për vlerat e këtyre vëllimeve, sepse për vëllimin e parë kam bërë një vështrim para disa viteve (“Kultura, letërsia dhe arti në shërbim të partisë në Shqipëri (1945-1968)”, Shenja, nr. 93, Shkup, 2019, f. 93-98).

Por, kur flasim për vitet e para të pasluftës së Dytë Botërore, siç edhe dihet, marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Jugosllavinë e atëhershme ishin shumë miqësore, e rrjedhimisht, ato politika të hartuara nga Shqipëria e asaj kohe në fushën e arsimit etj., do të reflektojnë edhe në Kosovën e atëhershme. Disa nga këto politika të hartuara nga Shqipëria pas vitit 1945 janë pasqyruar përmes dokumenteve edhe në vëllimin e parë ku përfshihen vitet (1945-1968).

Për ta parë se deri në çfarë mase kishte shkuar ideologjia komuniste në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore, ne kemi zgjedhur që t’i bëjmë një vështrim “Abetares” së vitit 1946, të botuar në Prizren nga Këshilli Popullor Krahinuer Kosovë e Metohi, Drejtorati Arsimuer.

 

Tito dhe Enver Hoxha dy figura kryesore në Abetare

 

“Abetare per te rritun”- kështu është titulli i “Abetare”-s së vitit 1946, e cila u përdorë në vendin tonë.

Arsyeja pse ne i kemi bërë një vështrim këtij teksti janë disa, por ne do të ndalemi tek dy me kryesoret:

E para, në qoftë se flasim për kohën kur u përpilua kjo Abetare, atëherë i bie që informacionin e parë për dijen, të parët tanë mund ta kenë marrë nga ky libër, dhe nga këtu ka filluar ideologjizimi me moshat e reja.

E dyta, duke e ditur se klasa e parë e fillores është mosha kur fillon marrja e dijeve bazike, të cilat dije, individin do ta përcjellin tërë jetën, e në veçanti për kohën të cilën po flasim, atëherë i bie se ky indoktrinim mund t’i ketë shoqëruar të parët tanë gjatë tërë jetës, e disa ndoshta këto informata do t’i kenë transmetuar tek pasardhësit. Pra, në një farë forme, këto informacione mund t’i hasesh ndoshta edhe në ditët e sotme të disa individë të caktuar.

Librit të cilit i kemi bërë vështrim, ka gjithsej 50 faqe, të lexueshme dhe me një shtyp të mirë për kohën. Formati i këtij teksti është 13X19. Mirëpo në këtë libër mungojnë dy faqe, ajo me numër dy dhe tre. Sipas mendimit tonë, këtij teksti i mungon faqja ku shkruhen hartuesit dhe parathënia. Libri ka të prezantuara shkronjat e mëdha dhe ato të vogla të shtypit. Në çdo faqe janë të vendosura nga tri shkronja dhe ne po i paraqesim sipas renditjes në abetare: t, i, o, b, r, rr, e, ë, f, l, ll, u, d, j, v, m, n, a, h, k, p, s, sh, y, z, c, ç, q, g, gj, nj, dh, th, x, xh, zh. Pasi përfundon mësimi i të gjitha shkronjave, që në këtë rast janë shkronjat x, xh, zh, në dy faqe janë paraqitur të gjitha shkronjat e shtypit dhe të shkrimit në një vend.

Dy figurat politike të kohës në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, Tito dhe Enver Hoxha, janë edhe figura dominuese në këtë libër. Te shkronja “T” nxënësit i shpjegohet sesi duhet t’i lidhë shkronjat, dy shkronja, tri e kështu me radhë. Pra shembujt duken kështu: t, ti, to, Tito.

Kur rëndom nxënësi përfundon së mësuari shkronjat, atëherë pasojnë edhe disa mësime të shkurtra, të cilat do ta ndihmojnë nxënësin për t’i provuar njohuritë se deri në çfarë mase kishte arritur me përvetësimin e shkronjave. Nga mësimet e radhës është “Shoku ynë i math Tito”, ku përshkruan figurën e Titos si njeri luftëtar dhe dashamirës i të gjithë popujve “ai krijoi ushtrinë t’onë Nacional-Çlirimtare, Armatën t’onë heroike të Jugosllavisë, për të cilën bindet bota mbarë (f. 32)”. Pra, e gjithë lufta dhe arritjet në Jugosllavi, i faturohen një personi, Titos. Pastaj vazhdohet me disa thënie të Titos, të cilat i vendosin nën titullin: “S’ka me u kthye e kalumeja”, dhe me titutj të tjerë si: “Jugosllavija federative”, Marshali Tito, rinis”, Titos (Vjershë N.A)”, Na do të rindërtojmë vendin t’onë”, “Pushteti populluer”, “Bashkimi dhe vllaznimi i popujvet t’onë”, “Bashkimi i punëtorit dhe katundarit (Prej fjalimit të mareshalit Tito-puntorve)”, “Çka ka thanë Tito për shqiptarët e Kosovës”. Të gjithë titujt e lartcekur janë fjalime të Titos, ose tregime që lidhen me figurën e tij. Duhet theksuar se një pjesë e këtij libri i kushtohet Kosovës me titullin “Kosova e Metohija (Kosomet)”. Pra, siç shihet, edhe nga brendia e tekstit me këtë titull, vendit tonë pothuajse në tërësinë e këtij prezantimi i referohen me emrin “Kosmet” dhe vendi ynë prezantohet si pjesë e Serbisë “Kosmeti asht njana prej dy krahinavet autonome të Republikës Popullore të Serbisë (f. 48)”.

Në faqen 35 të këtij teksti, prezantohet vjersha me titull “Titos”, duke e prezantuar si njeri që adhurohet prej çdo kujt në Jugosllavi, si çlirimtarë, si bashkues i popujve dhe popujt e Jugosllavisë nuk do të ndahen asnjëherë prej tij.

“Ty, o Tito çdo nesh t’falet

edhe t’uron jetë sa malet,

pse Ti vendin e çlirove

edhe popujt i bashkove:

për çdo njenin tuj dal vlla.

Na prej teje s’kem m’u-nda,

kurr, o Tito, plot vyrtyte,

pre rruga jote mbushë me fryte,

të gjithë popujt i ban me dije

se asht themel për jetë limnije.

Hero ndër faqe t’historis,

e pshtimtar i Jugosllavis,

Ti me qindramij dragona

prore do t’jesh n’zemra t’ona (f. 35)”.

Siç e theksuam më lart, në vitin kur u botua ky tekst, marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë  ishin shumë të mira, rrjedhimisht edhe figurës së Enver Hoxhës, përgatitësit i krijuan hapësirë (vend) ne mes të këtyre dy kopertinave, ku në mes tjerash shkruante: “Enveri, me luftën e tij të drejtë, vllaznoi popullin shqiptar me krejt popujt demokratikë. Lufta e tij e drejtë e qiti Shqipnin aqë të fortë prej luftës kundra fashistave, sa ajo nuk ka qenë kurrë ndonji herë. Ajo doli me aqë miq, sa nuk ka pasë kurr. Jugosllavija dhe Bashkimi Sovjetik janë miqt ma të sinqertë të saj. Populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavis u vllaznuen gjatë luftës së përbashkët kundra okupatorit (f. 39)”.

 

Përfundim

 

Pra, siç mund të venerohet nga tekstet e prezantuara, shihet qartë sesi në rastin e prezantimve të figurave të Titos, edhe të Enverit, gjithçka pozitive u faturohet këtyre figurave. Këta janë njerëzit e pagabuar, të cilët dhanë çdo të mirë për popujt e tyre dhe më gjerë. I gjithë teksti është i përgatitur në frymë ideologjike.

Në të gjitha tregimet, asgjë kombëtare nuk iu prezantohet nxënësve në këtë tekst. Vendin tonë e emërtojnë si “Kosmet”, kurse popullin shqiptar e përshkruajnë si popull vëlla me popujt tjerë të Jugosllavisë dhe jo me shqiptarët e Shqipërisë. Popullin shqiptar në Shqipëri dhe luftën e tyre e prezantonin si luftë për vëllazërimin me gjithë popujt e Jugosllavisë.

Po qe se e bëjmë një krahasim në mes të këtij teksti që e kemi marrë në trajtim dhe tekstit të Abetares, që u botua në vitin 1942, në kohën e pushtimit italian në vendin tonë (ky tekst u përdorë në Kosovë gjatë pushtimit italian me titull: “Abetare gegnisht”, botim i Ministrisë S’Arsimit, Shtëpija Botuese Marzocco-Firenze 15 shtatuer 1942), dallimet e këtij teksti janë të dukshme. Në tekstin e botuar në Itali prezantohen, përveç figurave të Viktor Emanuelit III, Benito Musolinit e Duçes, edhe figurat e simbolet tona kombëtare, duke filluar me Skënderbeun, flamurin kombëtar, njerëz me veshje kombëtare, harta e Shqipërisë Etnike, Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri dhe disa vjersha të tyre etj. Pra, për shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera në ish-Jugosllavi rezultoi se kaluan nga pushtimi italian dhe gjerman në një pushtim edhe me të egër, pra në atë serbo-jugosllav. Edhe ato mësime të karakterit edukativ dhe kombëtar, që i kishin mësuar fëmijët gjatë pushtimit italian, me pushtimin e ri serbo-jugosllav, pas vitit 1945, ua ndaluan, duke u përgatitur tekste fëmijëve që në klasën e parë, të cilat i lartësonin figurat e diktatorëve të Titos dhe Enver Hoxhës, duke i përgatitur fëmijët për vëllazërim-bashkim të përhershëm.