IKD: Qeveria nuk përmbushi planin legjislativ

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të premten ka publikuar raportin “PRIORITETET – që vazhdojnë të mos arrihen”, duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka përmbushur planin legjislativ.

Ky raport, sipas njoftimit, është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejt që IKD-ja i ka bërë Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023.

“Kreu i Qeverisë kishte deklaruar se “Karakteri i planifikimit tregon për karakterin e qeverisjes”. Por, jo stabiliteti i programit legjislativ i shprehur në ndryshimet e shpeshta të këtij programi, miratimi i projektligjeve jashtë planifikimit dhe mos zbatimi i plotë i këtij planifikimi flasin për dështim të Qeverisë në fushën e planfikimit qeverisës. Në Programin e Qeverisë së Kosovës për vitin 2021-2025, Qeveria proklamoi synimin për përgjegjshmërinë institucionale në planifikim dhe në zbatim. Kjo nuk u reflektua në programin legjislativ, i cili u karakterizua nga mos stabiliteti i tij. Brenda vitit 2023, ky plan u ndryshua plot 7 herë. Kështu, Qeveria më tepër pati “planifikim dy mujor” se sa planifikim vjetor legjislativ. Madje, mos stabiliteti i Programit Legjislativ u shfaq menjëherë pas miratimit të tij. Kjo pasi Qeveria e ndryshoj këtë plan vetëm gjashtë ditë pas miratimit të tij”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

IKD-ja ka gjetur se 44 për qind e agjendës legjislative të vitit 2023 është bartje nga viti 2022. Agjenda legjislative e vitit 2023 nuk u përmbush, sipas raportit.

“Dështimi për përmbushjen e Agjendës Legjislative të vitit 2022 u bart në vitin 2023. Kjo pasi IKD gjen se 44% e agjendës legjislative për vitin 2023 është bartje e agjendës nga viti 2022. Këtu nuk bëjnë pjesë plot 26 Projektligje, nga miratimi i të cilave Qeveria u zbraps në vitin 2023, edhe pse planifikoj që të njëjtat t’i miratoj në vitin 2022. Edhe pse programin legjislativ e miratoi me vonesë, Qeverinë e ka karakterizuar jo-stabiliteti për t’iu përmbajtur programit legjislativ. Ajo në shtatë raste ndryshoi këtë program dhe përkundër këtyre ndryshimeve ajo nuk arriti ta përmbushë në plotni programin legjislativ. Kështu, gjatë vitit 2023, Qeveria më tepër pati Agjendë Legjislative “dy mujore” se sa vjetore. Përkundër këtyre, Agjenda Legjislative e vitit 2023 nuk u përmbush. Qeveria e Kosovës, deri në fund të vitit 2023 arriti të realizojë 58% të programit legjislativ. Nga 99 projektligjet e planifikuara, Qeveria i miratoi vetëm 57 prej tyre, përderisa 42 të tjera nuk janë miratuar. Qeveria miratoi edhe 21 projektligje të tjera jashtë planifkimeve në Programin Legjislativ”, ka vijuar njoftimi.

Përqindja e ulët e përmbushjes, siç thotë IKD-ja, ka ardhur për shkak të ndryshimeve të shumta në planin legjislativ.

“Kjo përqindje ka ardhur si rezultat i ndryshimeve të shumta të Programit Legjislativ. Me 8 nëntor kur kaloi më shumë se 83% e vitit, nga Programi Legjislativ u tërhoqën 25 projektligje të pamiratuara, ndërsa 34 projektligjeve i’u ndryshua afati. Kjo lëvizje e qeverisë solli këtë rezultat. Kështu, pa këtë ndryshim, përqindja reale e zbatueshmërisë së planit legjislativ është 46%. Në raport me planifikimet sipas afateve të përcaktuara në programin legjislativ, rezulton se nga 57 projektligjet e miratuara: 48 janë miratuar sipas planifikimit ndërsa 9 projektligje janë miratuar duke mos e respektuar afatin e planifikuar. Kështu, nëse shohim miratimin e Projektligjeve dhe afatit e miratimit të tyre, përballë planifikimit të bërë, atëherë shohim se Qeveria nuk përmbushi plotësisht dhe brenda afateve të parapara në Agjendë Legjislative 84% të Agjendës Legjislative”, thuhet në komunikatën e tyre.

Përveç planit legjislativ, IKD-ja ka thënë se Qeveria ka dështuar të përmbushë planin edhe me miratimin e koncept-dokumenteve.

“Pos Agjendës Legjislative, Qeveria dështoj të përmbushë planin e saj edhe në raport me miratimin e Koncept Dokumenteve. Deri në fund të vitit 2023, Qeveria e Kosovës ka miratuar gjithsej 17 koncept dokumente nga 36 sa kishte planifikuar. Shprehur në përqindje i bie se Qeveria ka përmbushur më pak se 50% të planifikimeve të saja në fushën e miratimit të koncept dokumenteve”, ka thënë kjo organizatë.

Mosefikasiteti i Qeverisë, siç thuhet në raportin e IKD-së, ka vazhduar edhe në Kuvend.

“Sa i përket projektligjeve të miratuara sipas Programit Legjislativ për vitin 2023 dhe të proceduara në Kuvendin e Kosovës, ky i fundit ka arritur të miratojë 34 nga 55 apo 62% e projektligjeve që i kanë plotësuar kushtet për t’u proceduar për miratim në lexim të dytë, që i bie 44% e totalit të ligjeve të dërguara në Qeveri dhe vetëm 34% e Ligjeve të planifikuara në Agjendën Legjislative të Qeverisë për vitin 2023. Siç mund të shihet mosefikasiteti i Qeverisë ka vazhduar edhe në Kuvendin e Kosovës. Për më tepër një përqindje e tillë u arritë falë miratimit në lexim të dytë të dhjetë projektligjeve me procedurë të përshpejtuar duke i shmangur afatet e përcaktuara procedurale”.

Në këtë raport, IKD-ja ka pasqyruar edhe “shkeljet kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në ligjbërje, ku në shumë raste, gjetjet e IKD u konfirmuan edhe nga Gjykata Kushtetuese”.