Kush ishte kryeministrja e parë e Bangladeshit, shuar 80 vjeçe?
Khaleda Zia, gruaja e parë që shërbeu si kryeministre në historinë e Bangladeshit dhe vetëm e dyta në botën myslimane, pas Benazir Bhuttos, ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçe, siç njoftoi Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP).
Sipas njoftimit, Khaleda Zia vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, pasi u përball me probleme serioze shëndetësore vitet e fundit. Sipas mjekëve që e trajtuan, ajo vuante nga cirroza e avancuar e mëlçisë, artriti, diabeti mellitus, si dhe probleme me zemrën, të cilat e kishin përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e saj.
Khaleda Zia ishte një figurë e shquar në politikën e Bangladeshit dhe kryetare e BNP-së, partisë së themeluar nga bashkëshorti i saj, Zia Rahman. Zia Rahman ishte një figurë qendrore në luftën për pavarësi të ish-Pakistanit Lindor, kreu i ushtrisë dhe presidenti i gjashtë i vendit para vrasjes së tij në vitin 1981.
Karriera politike e Khaleda Zias ishte e lidhur ngushtë me historinë post-koloniale të Bangladeshit, pasi ajo shërbeu si kryeministre gjatë një periudhe konflikti të fortë politik dhe ndryshimesh të thella shoqërore dhe institucionale. Prania e saj në pushtet shënoi një pikë kthese historike për pozicionin e grave në politikë dhe jo vetëm në vendin e saj.
Vdekja e saj shënon fundin e një epoke për Bangladeshin, me skenën politike të vendit që i jep lamtumirën një prej figurave më të njohura dhe më kontraverse në historinë e saj moderne. /tesheshi




