IKSHP deklarohet rreth gjendjes me koronavirus në Kosovë

Për më pak se një muaj në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 53 mostra të dyshimta me koronavirus, dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) sot ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një rast të dyshimtë në COVID-19.

Pacienti, pas kontrollit në Klinikën Infektive në QKUK dhe mostrave laboratorike, doli se nuk është infektuar me SARS CoV-2.

Nga data 01.02.2020 deri me 05.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 2.611 udhëtarë.

Nga Aeroporti “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdare 1.106, Vërmicë 726, Jarinje 173, Dheu i Bardhë 48, Hani i Elezit 48, Kullë 21, Qafë Morinë 8 dhe Bërnjak 6, udhëtarë.

Sot në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipet mjekësore të aeroportit bashkë me QKMF- Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës të mbështetur nga ekipi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC-së dhe te asnjeri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes.

IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/shteteve me koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme.

Ndryshe, në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 5 mars 2020, janë raportuar gjithsej 95.315 raste me COVID-19 dhe 3.282 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Britani të Madhe janë raportuar 4.197 raste me COVID-19 dhe 113 raste të vdekjes.