IKSHPK: U testuan 56 pacientë, në Kosovë nuk ka koronavirus

BERLIN, GERMANY - FEBRUARY 28: A shoe store advertises protective face masks for sale during the current coronavirus spread on February 28, 2020 in Berlin, Germany. Germany has registered 52 cases of coronavirus infections so far. (Photo by Sean Gallup/Getty Images)

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se në Kosovë nuk ka koronavirus.
Nga data 8 e muajit të kaluar e deri më sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Prishtinë në IKSHPK janë testuar 56 mostra të dyshimta me koronavirus dhe të gjitha kanë rezultuar negativ.

Vetëm sot janë testuar tri raste të dyshimta me koronavirus. Pacientët janë kontrolluar nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK. Të trija rastet kanë rezultuar negative – pacientët nuk janë të infektuar me koronavirus.

Nga data 01.02.2020 deri me 06.03.2020 në Aaeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 2.831 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdare 1.198, Vërmicë 825, Jarinje 187, Dheu i Bardhë 49, Hani i Elezit 56, Kullë 21, Qafë Morinë 13 dhe Bërnjak 7 udhëtarë, njofton IKSHPK.

Në anën tjetër IKSHP ka dhënë si zakonisht edhe masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj koronavirusit:

Aktivitetet në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së
COVID-19

1. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që konsistojnë në:

• Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në sistemin e mbikëqyrjes së rasteve.
• Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e dinamikës së sëmundjes;
• Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara;
• Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë;

2. Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Coronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

3. Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të Kosovës që konsistojnë në:
• Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor, posterëve dhe lifleteve.
• Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive për Coronavirusin COVID- 19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.
• Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimeve të IKSHPK që në të gjitha institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare.
4. Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.

5. IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:
• Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
• Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
• Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
• Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Lani duart porsa hyni në shtëpi!
• Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
• Lani duart pas përdorimit të tualetit!
• Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
• Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
• Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
• Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
• Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
• Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
• Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
• Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
• Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
• Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!
• Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.

• Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.
• Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi
• Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave
Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:
• Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.
• Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe syve.
• Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të sigurta.
• Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.
• Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.
• Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun.
• Monitoroni simptomet e juaja.
• Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.
• Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.
• Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!
• IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 06 mars 2020, janë raportuar gjithsej
98.171 raste me COVID-19 dhe gjithsej 3.385 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të bashkuar, janë raportuar 5.544 raste me COVID-19 dhe 159 raste të vdekjes. Itali (148), Francë (7), Spanjë (3) dhe Mbretëri të bashkuar (1).

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë.